Ndërlidhjet

DUHET NDRYSHUAR SISTEMI ZGJEDHOR


Bekim Bislimi, Prishtinë

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare të Kosovës, i quajtur “Reforma 2004”, sot i ka bërë publike rekomandimet për ndryshimet në sistemin zgjedhor, të cilat sipas tyre, kanë për qëllim demokratizimin e mëtejshëm të Kosovës dhe avancimin e raporteve në mes përfaqësuesve të zgjedhur dhe votuesve të tyre.
Leon Malazogu nga Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime Politike, duke folur për sistemin e tanishëm zgjedhor në Kosovë, tha se ai duhet të ndryshojë.
“Ky sistem zgjedhor favorizon deputetët, të cilët janë loajalë ndaj liderëve të partisë dhe jo deputetë, të cilët e krijojnë bazën elektorale. Kjo është një gjë që krijon të meta në sistemin politik të Kosovës. Çfarë do të ndodhë? Në qoftë se tani nuk e ndryshojmë sistemin zgjedhor, rrjedhimisht edhe relievin politik në Kosovë deri diku, në 2008, do të jetë një Kosovë krejt tjetër dhe në qoftë se edhe atëherë do t’i kemi një pjesë më të madhe të deputetëve pa kurrëfarë baze elektorale, atëherë do të jetë shumë e vështirë që të ndryshohet sistemi zgjedhor," tha zoti Malazogu. Ai shtoi se modeli të cilin e rekomandon tani Reforma 2004, nuk favorizon asnjë parti politike.
Fisnik Halimi, nga Aksioni Kosovar për Shoqëri Civile, theksoi se organizatat joqeveritare rekomandojnë që zgjedhjet të jenë me lista të hapura dhe në shumë zona, me rezultate proporcionale, me përfaqësim përkatës gjinor dhe etnik.
“Mendojmë që është shumë e rëndësishme që elektorati kosovar të ketë mundësinë që të zgjedhë drejtpërdrejtë njerëzit, që mendojnë se do t’i përfaqësojnë më së miri në parlamentin e Kosovës. Pra nismat tona besojmë se kanë qenë të atij drejtimi që të kemi një parlament ndryshe nga ky i sotmi që e kemi, pra të kemi një parlament që do të punojë më shumë dhe që do të jetë më efektiv, të sjellë më shumë ligje, duke pasur parasysh situatën në të cilën gjendet Kosova, pra mungesën e ligjeve për një funksionim sa më të mirë të vendit tonë.
Ndërkaq, Ibrahim Makolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, tha se rekomandimet të cilat kanë publikuar sot organizatat joqeveritare, janë të rëndësishme për të krijuar trekëndëshin: deputet, subjekt politik dhe zgjedhës, dhe se kjo është shumë me rëndësi në zhvillimin e përgjithshëm të demokracisë.
“Ne fillimisht kemi kërkuar që ligjin për sistemin zgjedhor në Kosovë ta nxjerrë Parlamenti i Kosovës, por kjo nuk është arritur, sepse kjo çështje vazhdon edhe më tutje të jetë në kompetenca të PSSP-së të OKB, por megjithatë kujtojmë se edhe me një rregullore të veçantë mund të nxirret, një dokument ligjor i cili parasheh formën e sistemit zgjedhor, do të mund të ndryshohej pa u prekur elementet bazë të Kornizës Kushtetuese”.
Sidoqoftë, sot pritet që Grupi Punues për Zgjedhjet i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës, të miratojë rekomandimet për të ardhmen e kornizës zgjedhore, të cilat do t’i dërgohen për shqyrtim, shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri.


XS
SM
MD
LG