Ndërlidhjet

ENDE NUK KA KONSENSUS PËR SISTEMIN ZGJEDHOR


Bekim Bislimi, Prishtinë

Grupi Punues për Zgjedhjet sot i ka bërë publike rekomandimet përfundimtare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndonëse, ky Grup nuk ka arritur konsensus nëse zgjedhjet do të mbahen sipas sistemit proporcional me lista të hapura apo të mbyllura, Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Paskal Fieschi, ka lavdëruar punën e grupit.
“Kur ka qenë e mundur, grupi ka marrë vendime me konsensus. Mirëpo në dokument figurojnë edhe çështje për të cilat nuk ka konsensus”, tha zoti Fieschi, i cili e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm për procesin e standardeve, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Arsim Janova nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kjo parti është angazhuar për një sistem zgjedhor të kombinuar, por:
“LDK- ja në pamundësi për aplikimin e sistemit të kombinuar, që është angazhuar në 3 palë zgjedhje, megjithatë mbetet e qëndrimit që të aplikohet modeli me lista të mbyllura. Domethënë, i kemi dhënë përparësi çështjes së përfaqësimit të gjinisë së femrës dhe kjo është e vetmja mënyrë që mundëson përfaqësimin e femrave”.
Gani Koci nga Partia Demokratike e Kosovës tha se kjo parti ka mbrojtur qëndrimin e saj që në këto zgjedhje listat të jenë të hapura:
“Nëse nuk mund të ndryshohet asgjë tjetër, të paktën listat e hapura mund të bëhen. Mund të ketë pengesa teknike, por nuk janë të patejkalueshme dhe ka bërë këtë për krijimin e një lidhjeje të deputetëve me zgjedhësit e vet dhe ajo lidhje e deputetëve të mos jetë vetëm nëpërmjet partisë që i takon”.
Sipas, Mahmut Bakallit edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është për lista të hapura:
“Ne kemi qenë për lista të hapura. Ne mendojmë se ky është një hap i mëtejshëm drejt demokratizimit të mëtejshëm të procesit zgjedhor”.
Sipas Stojanka Petkoviç, përfaqësuese e koalicionit serb “Kthimi”, ky koalicion angazhohet për sistem proporcional të zgjedhjeve.
“Jemi angazhuar për zgjedhje proporcionale, për një njësi zgjedhore dhe për lista të hapura, sepse kemi menduar se kjo është mënyra më demokratike e zgjedhjeve, por me kusht që të mbrohet 30 % i zgjedhjes së kandidateve femra”.
Ndërkaq, zoti Fieschi tha se sfida kryesore është që zgjedhjet të jenë demokratike.
“ Sfidë kryesore është që të kemi zgjedhje demokratike, të drejta, të hapura, gjithpërfshirëse dhe të pranuara nga vendorët dhe ndërkombëtarët. Ky është standardi i parë për Kosovën, është standardi të cilin mund ta arrijë përmes zbatimit të këtyre rekomandimeve dhe vërejtjeve të të gjitha palëve”.
Sidoqoftë, rekomandimet e Grupit Punues të Zgjedhjeve i janë dërguar Shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri i cili do të marrë vendimet përfundimtare. Ndërkaq, rekomandimet për zgjedhjet sot i ka dërguar edhe koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Reforma 2004”, i cili ka rekomanduar që zgjedhjet të jenë me lista të hapura dhe në shumë zona.


XS
SM
MD
LG