Ndërlidhjet

logo-print

KADARE:LËVIZJA "MJAFT" - NDRYSHIM POZITIV NË MENDËSINË SHQIPTARE


Ismail KADARE, shkrimtari më i njohur shqiptar


RADIO EVROPA E LIRË
Nga 9 janari, kur në ujërat në afërsi të Karaburunit humbën jetën 21 shqiptarë, Shqipëria është mbërthyer nga protesta qytetare e më pas nga protesta të organizuara nga opozita. A ka ndryshime thelbësore mes këtyre protestave dhe të tjerave të mbajtura në këto 14 vitet e fundit? Çfarë treguesi janë ato për gjendjen e Shqipërisë?

ISMAIL KADARE
Protestat qytetare të kohëve të fundit, lëvizja "MJAFT", si dhe Zyra e Mbrojtjes Qytetare, Koalicioni Shqiptar kundër Korrupsionit, mendoj se janë tregues shumë pozitivë në jetën e sotme shqiptare, ku siç e dini treguesit pozitivë janë disi të rrallë. Janë pritur prej kohësh këto lloj protestash dhe tregojnë një ndryshim në mendësinë e shoqërisë shqiptare sot. Dëshmojnë për një vizion të ri të gjërave, për një shkëputje nga politikanizmi shterp, për një qasje konkrete të problemeve reale të vendit. Nga zhurma që bëhet sot në jetën politike shqiptare, krijohet përshtypja sikur ajo është më e gjalla e të gjithave në Evropë. Në të vërtetë është e kundërta. Ka shumë zhurmë, por rrjedhojat janë shumë të pakta. Lëvizja qytetare e përmbajtur në dukje, është shumë më efikase. Kjo risi e këtyre lëvizjeve qytetare ka qenë mesa duket edhe shkaku që nismëtarja e parë, lëvizja "MJAFT", u prit në fillim me ftohtësi dhe u vu në shënjestër të kritikave meskine.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u ndalur tek lëvizja qytetare dhe pikërisht tek lëvizja "MJAFT", ju keni pranuar pak kohë më parë titullin kryetar nderi të kësaj lëvizjeje. Cilat ishin motivet që e pranuat këtë titull?

ISMAIL KADARE
E kam pranuar me kënaqësi të jem kryetar nderi i kësaj lëvizjeje, sepse i çmoj qëllimet e saj, çmoj thelbin dhe stilin e saj. Në rradhë të parë çmoj mendimin e saj ndërtues. Kjo nuk është një lëvizje që bëhet për interesa partiake, për mllefe, për revanshe ose për bujë. Nuk është një lëvizje xhama-thyesish, energjia e saj e brendshme është pozitive. Ajo dëshiron të ndreqë gjërat, me fjalë të tjera t'i bjerë këmbanës për një qëllim të caktuar. Veprimi i saj është i dyfishtë. E para të jetë e efektshme për zgjidhje problemesh, e dyta të sjellë në klimën politike shqiptare një kulturë të re qytetare, siç e ka dhe emrin lëvizja.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni rastin të shihni brezin tjetër që do të zëvendësojë klasën e sotme politike?

ISMAIL KADARE
Brezi i sotëm i politikanëve shqiptarë nuk ka asnjë të ardhme në qoftë se nuk do të bëjë një ndryshim themelor në thelbin e tij. Ky ndryshim është ulja e ethes politike në vend. Kjo është e ngutshme. Në atmosferën e helmatisur të sotme, në atmosferën me kaq shumë trysni, nuk mund të ketë një politikë normale. Të dy grupimet kryesore politike në Shqipëri duhet të kuptojnë se në një pikëshikim nga lart, e theksoj, janë bashkarisht përgjegjës për fatet e vendit. Partitë në pushtet duhet t'i japin mundësinë opozitës të marrë përgjegjësitë e saj dhe opozita nga ana e saj të bëhet e përgjegjshme për to. Dialogu, afrimi i dy grupimeve kryesore politike nuk është një kërkesë etiko morale, kjo është një domosdoshmëri, është kusht i egzistencës së tyre. Me këtë përçarje, me këtë trysni që ka sot, klasa politike shqiptare e ka të pamundur të mbrojë interesat kombëtare, politike, ose ekonomike të vendit. Ajo e ka të pamundur ta nxjerrë vendin nga varfëria. Brezi i ri i politikanëve shqiptarë ndodhet padyshim midis nesh, brezi i ri do të jetë pikërisht ai që do ta kuptojë i pari këtë gjë që thashë më lart.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, ka pasur qëndrime, në mesin e të cilëve dhe eurodeputeti Olivier Dupuis, se Bashkimi Evropian nuk është i interesuar për përfshirjen e Shqipërisë dhe Kosovës. Çfarë do të thoshit ju?

ISMAIL KADARE
Partia Radikale Evropiane, sidomos deputeti Dupuis dhe shokët e tij, kanë vite që po bëjnë një veprimtari shumë humane për Shqipërinë sidomos. Megjithatë nuk besoj se kjo është e përcaktuar kaq qartë, ky vendim i Evropës, kjo dëshirë ose ky qëndrim për të mos e afruar Shqipërinë, për të mos e pranuar. Që ka një shqiptarofobi në rrethe të ndryshme evropiane, kjo është mesa duket mëse e vërtetë. Por po aq e vërtetë është që kjo shqiptarofobi nuk triumfon dot kaq lehtë siç mund të duket. Mungesa e stabilitetit politik në Shqipëri është faktori kryesor negativ për inkurajimin e kësaj shqiptarofobie. Siç e shihni përpara se të tregojnë me gisht të huajt le ta gjejmë të keqen tek vetja jonë. Dhe nuk është vetëm politika, është një batalion i tërë intelektualësh shqiptarë. Ka vite që kanë bërë si pasion kryesor të tyre, të bëjnë propagandë kundër hyrjes së Shqipërisë në Evropë. Ky batalion renegatësh po bën çmos që të vërtetojë se Shqipëria s'ka patur kurrë lidhje me Evropën. Këta vrapojnë të bëjnë propagandë antishqiptare në forume ndërkombëtare për Ballkanin, për çështjen shqiptare, për statusin e Kosovës dhe për këtë shpërblehen me bursa dhe me honorare. Unë e kam thënë këtë dhe herë tjetër dhe e përsëris. Për të dhënë vetëm një shembull. Kam parë rastësisht një farë studiuesi të tillë, një farë Puto, që e fillon studimin e tij, të cilin mesa duket e ka mbajtur në shumë forume ku ka vrapuar të marrë pjesë, me akuzën kundër kulturës shqiptare, sidomos asaj të Rilindjes, se ka fyer rëndë sipas tij, pushtuesit turq dhe shtetin e tyre otoman. Tani merreni me mend vazhdimin e këtyre lloj kumtesash apo studimesh që bëjnë intelektualët tanë andej këtej.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas një mirëkuptimi ndaj shqiptarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, duket se imazhi i tyre në vendet perëndimore sërish është në pikat më të ulëta. Përse ende vazhdon ky moskuptim mes nesh dhe kontinentit që i përkasim?

ISMAIL KADARE
Kjo është e vërtetë, por kjo nuk është e vendosur një herë e përgjithmonë. Në raste të tilla, simpatitë siç kanë ndryshuar për të keq mund të ndryshojnë për të mirë. Një përpjekje e institucioneve të Kosovës për një politikë më realiste, një afrim i Kosovës me standardet demokratike, mund ta ndryshojë përsëri gjendjen e gjërave. Objektivisht Kosova është sot më afër Evropës se Serbisë. Serbët duan të vërtetojnë të kundërtën. Është detyra e shqiptarëve të Kosovës që me vepra të dëshmojnë afërsinë me qytetërimin demokratik të kontinentit dhe besoj është në dorën e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë edhe 5 vjet pas përfundimit të luftës ende nuk është zgjidhur çështja e të zhdukurve, mes të cilëve është dhe Ukshin Hoti, të cilit ju i keni kushtuar një libër "Bisedë përmes hekurave". Cili është komenti juaj?

ISMAIL KADARE
Unë mendoj se janë disa kërkesa themelore, prej të cilave nuk mund të hiqet dorë asnjëherë. Dhe kur flitet për standardet, s'duhet harruar të flitet edhe për to, sepse ashtu sikurse shqiptarët e Kosovës kanë detyrim të plotësojnë standardet evropiane, ashtu dhe ndaj tyre ka disa detyrime që janë themelore dhe kjo hyn në këto detyrime themelore. Çështja e të zhdukurve kurrsesi s'mund të quhet asnjëherë çështje e rëndomtë. Është çështje e madhe morale parimore për një popull, i cili është goditur, për një popull i cili ka pësuar dhunë. Është një gjë që s'mundet të klasifikohet në çështjet e rëndomta politike të ditës. Natyrisht për Ukshin Hotin vazhdon prej vitesh dhe është normale të vazhdojë kërkimi i tij. Ai bën pjesë si të thuash, e mëshiron këtë masë të zhdukurish. Për fat të keq kërkimi i tij, ashtu si dhe i kësaj mase të madhe deri tani nuk ka dhënë asnjë përfundim. Kjo është vërtet një gjë shumë e trishtueshme dhe duhet të jetë një gjë që ta shqetësojë ndërgjegjen shqiptare në Kosovë.

Intervistoi: Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG