Ndërlidhjet

UNMIK: BISEDIMET PRISHTINË-BEOGRAD FILLOJNË MË 4 MARS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

UNMIK-u dhe qeveria e Serbisë janë pajtuar parimisht që dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi të fillojë më 4 mars, sipas një marrëveshjeje që arritën një javë më parë në Prishtinë, kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri dhe shefi i Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën, Nebojsha Çoviç.
Zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Sunil Narula, tha se synimi i UNMIK-ut është që dialogu teknik të rifillojë në javën e parë të marsit:
"Ne synojmë që dialogu të fillojë gjatë javës së ardhshme, diku më katër mars, por më duhet të them se ne ende po synojmë për këtë," tha zoti Narula.
Ai tha se pala kosovare ka kryer të gjitha përgatitjet dhe është e gatshme që të rifillojë dialogun në kohën e caktuar dhe se kjo punë është kryer nga ekspertët pjesëmarrës në grupet e caktuara:
"Grupi i parë do të fillojë për çështjet e energjisë, ndërsa sa i përket vetë agjendës, ajo është përpiluar nga ekspertët," tha zoti Narula.
Çështja e të zhdukurve nuk do të jetë temë diskutimesh në takimin e parë të grupeve punuese, edhe pse fillimisht qe thënë se grupet për të zhdukurit do të jenë të parat që do të takohen në dialogun e rifilluar, që nisi më 1 tetor në Vjenë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë të Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të personaliteteve të larta të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i UNMIK-ut Sunil Narula, tha se takimi i parë i grupeve për energjetikën do të zhvillohet në Prishtinë, por vendi i saktë ende nuk është përcaktuar, ndërkohë që takimet e tjera mund të vazhdojnë në Beograd. Mirëpo, përfaqësues shqiptarë që marrin pjesë në grupet punuese, më herët kanë shfaqur shqetësimin se në rast të shkuarjes në Beograd, mund të bëhen viktimë e fletarresteve të ndryshme që kanë vazhduar të lëshojnë për qytetarë të Kosovës gjyqet paralele të Kosovës që funksionojnë në Serbi. Duke iu përgjigjur këtyre shqetësime, zëdhënësi Narula tha:
"Unë nuk shoh ndonjë problem sigurie, pasi ne kemi garanci nga qeveria e Beogradit se nuk do të ketë probleme," tha zoti Narula.
Sidoqoftë, është thënë se energjetika, çështja e të zhdukurve dhe transporti e telekomunikacioni, do të jenë ndër çështjet e para që do të trajtohen në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, edhe pse përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë thënë se Qendra Koordinuese e Çoviçit është partner i papranueshëm për këto bisedime.
XS
SM
MD
LG