Ndërlidhjet

HUMB JETËN NË AKSIDENT AJROR BORIS TRAJKOVSKI


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

"Pak para orës 11 është gjetur vendi i rrëzimit të aeroplanit të presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski që është në rajonin e malit Risnik në Komunën e Lubinjës," tha nënkryetari i qeverisë së Maqedonisë Jovan Malasjevski, duke njoftuar se sipas informacioneve të tij jozyrtare, presidenti i Maqedonisë dhe 8 persona të tjerë kanë humbur jetën nga rrëzimi i aeroplanit Kinger në orët e paradites në Stollac 40 km larg Mostarit. Shkaqet e kësaj fatkeqësie ende nuk janë kumtuar, ndërkohë që zyrtarët e Maqedonisë kanë bërë të ditur se në aeroplan, përveç presidentit Boris Trajkovski, ndodheshin edhe këshilltarët e tij Risto Bllazhevski dhe Aneta Llozanovska, pastaj shefja e kabinetit Dimka Boshkoviç si dhe anëtarë të sigurimit dhe ekuipazhi.
"Qeveria ka formuar një trup koordinues të përbërë nga stafi qeveritar, përfaqësuesit ndërkombëtarë si dhe ekspertë nga mjeksia ligjore. Ky trup 26 anëtarësh është nisur për në Mostar, dhe kanë për detyrë të hetojnë situatën rreth rrëzimit të aeroplanit të presidentit të shtetit Boris Trajkovski", bën të ditur nënkryetari i qeverisë Jovan Malasjevski. Ndërkohë delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Branko Cervenkovski, ka ndërprerë vizitën në Dublin të Irlandës ku duhej të paraqiste kërkesën për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i qeverisë Sasho Çollakovski, sipas të cilit në orët e vona të pasdites, është caktuar dhe një mbledhje e jashtëzakonshme e stafit qeveritar të Maqedonisë ku do të debatohet për fatkeqësinë ajrore, në të cilën gjeti vdekjen presidenti i shtetit.
Ndërkohë sot është thirrur dhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të Maqedonisë ku do diskutohet lidhur me situatën e sigurisë si dhe masat që duhet të ndërmarrë shteti pas kësaj ngjarjeje.
Duhet theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e mbrojtjes kanë njoftuar se janë përforcuar masat e sigurisë në objektet vitale për shtetin.
Gjithashtu sot janë ndërprerë dhe punimet e Kuvendit të Maqedonisë si dhe të gjitha aktivitetet e tjera shtetërore në Maqedoni.



XS
SM
MD
LG