Ndërlidhjet

BUDAPEST, PRISHTINË, PRAGË


Në aeroportin e Budapestit sot rreth orës 13:00 është ndaluar komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral Agim Çeku. Informacioni është konfirmuar nga zëdhënësi i shërbimit kufitar hungarez Shandor Ordan. Ai u ka thënë agjencive të lajmeve se Agim Çeku është ndaluar në bazë të fletëarrestit ndërkombëtar dhe se për këtë veprim është informuar Interpoli. Por, shefi për informim i TMK-së, Enver Dugolli ka deklaruar se, sipas informacioneve që disponon TMK-ja, Agim Çeku është ndaluar në bazë të fletëarresteve të ngritura më herët nga autoritetet serbe në Beograd. Koordinatori i UNMIKU-ut, Adrian Frier i deklaroi radios Evropa e Lirë se administrata ndërkombëtare në Kosovë po bën përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje, por, pa konfirmuar se nëse deri tash gjeneral Çeku është liruar apo jo. Agim Çeku, së bashku me 40 pjesëtarë të TMK-së, po ktheheshin në Kosovë nga një trajnim në Çeki. Komandanti TMK-së, në fund të vitit të kaluar ishte ndaluar në aeroportin e Lubjanës, ndërsa në qershorin e po këtij viti në aeroportin e Budapestit, ishte ndaluar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.
XS
SM
MD
LG