Ndërlidhjet

A ËSHTË KOHA PËR NDRYSHIME?


Lutfi Dervishi

Partia Socialiste vazhdon të qëndrojë në pushtet prej 7 vjetësh dhe pretendon se do të kërkojë një mandat të ri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PS është e vetmja parti në ish Lindje që mundi të marrë dy mandate.
Gjatë dy mandateve, Partia Socialiste ndërroi kryeministri pesë herë dhe më shumë se 50 ministra bënë pjesë në kabinetet qeveritare. Dy mandatet e PS-së janë karakterizuar nga një luftë e brendshme për
pushtet mes kryeministrit aktual Fatos Nano dhe ish kryeministrit Meta. PS vetëm së fundi ka arritur të ketë një stabilitet të brendshëm, por më shumë se për reforma dhe politika të reja zhvillimi, ka harxhuar energji për beteja personale. Zhvillimet politike,ekonomike dhe institucionale kanë mbetur të paralizuara për muaj të tërë si rezultat i rrokadës që kanë zhvilluar mes njëri tjetrit liderët socialistë.
Eshtë për tu theksuar se Partia Socialiste si më 1997 ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 ka fituar me një legjitimitet të dyshimtë. Në rastin e parë zgjedhjet e zhvilluara ishin për t'i dhënë fund kaosit dhe anarkisë katër mujore që pasoi rënien e skemave piramidale. Nga vëzhguesit ndërkombëtarë këto zgjedhje morën etiketën “të pranueshme për momentin”.
E megjithatë PS-ja e konsumoi mandatin falë drejtimit të qeverisë në dy vjeçarin e fundit të mandatit nga kryeministri Ilir Meta. Në zgjedhjet parlamentare, të vitit 2001 PS arriti të sigurojë sërish një fitore, por jo fitore të pastër. Në një përpjekje për të siguruar një shumicë absolute në Parlament, me synim për të zgjedhur presidentin e ardhshëm nga radhët e saj, u shfrytëzua një artific ligjor dhe u shpikën kandidatët e pavarur. Me këtë manovër synoheshin të merreshin sa më shumë vende nga lista proporcionale e deputetëve. Partia Demokratike, më e madhja e opozitës u përgjigj me të njëjtën monedhë. Dhe kështu dy partitë e mëdha dolën në zgjedhje me 99 kandidatë të pavarur nga 100 zona zgjedhore që ka vendi. Përveç
kësaj, zgjedhjet parlamentare u kompromentuan nga fragmentarizimi dhe ndërhyrja e gjykatave. Zgjedhjet nga një raund u zhvilluan në pesë raunde. Vlerësimi ndërkombëtar këtë radhë ishte lakonik: progres dhe
probleme. Për hir të stabilitetit dhe vijimësisë së reformave, opozita pranoi të vijonte jetën parlamentare. Në kompensim ajo mori presidentin konsensual.
Rotacioni është thelbi i sistemit demokratik. Asnjë parti nuk është e përjetshme në pushtet. Çdo katër vjet pushteti kërkohet në kutitë e votimit. Prej zgjedhjeve del parlamenti, qeveria e re dhe pushtete
të tjera që burojnë nga Kuvendi i ri. Në një sistem që mëton të jetë demokratik zëri i qytetarëve dëgjohet dhe vota e tyre numërohet. Në konceptin modern të sigurisë, rreziqet nuk vijnë nga fqinjët apo armiqtë e largët, por nga institucionet e dobëta, krimi i organizuar, trafiqet dhe korrupsioni. Institucionet e forta për t'u përballur me rreziqet moderne, nuk bëhen nga njerëz të fortë apo nga pajisje moderne. Institucione të forta dhe të qëndrueshme janë ato që dalin nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj është e rëndësishme që politika dhe shoqëria civile në Shqipëri të hapin një debat serioz për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në vend. Përndryshe vendi do të
vijojë të ecë në tranzicionin e tejzgjatur dhe të humbasë edhe më tej kohën në integrimin Euro-Atllantik. Më shumë se kushdo tjetër zgjedhjet janë rrezikuar si institucion, jo vetëm nga përdorimi i dhunës me kostum shtetëror, apo i muskujve të militantëve, por edhe nga shitblerja e komisionerëve.
Pas gati 15 vjetësh që nga ndryshimi i sistemi politik ka ardhur koha që të lihet mbrapa mendësia e vjetër e të bëri politikë dhe të paktën të provohet shija e një rotacioni normal të pushtetit. Më shumë se rotacion për hir të rotacionit, forca që do të marrë pushtetin
në zgjedhjet e ardhshme duhet të paraqitet si alternativa më e mirë për votuesit. Nëse humbësi i ardhshëm pranon rezultatin dhe merr përgjegjësitë që i takojnë, nëse fituesi nuk sillet si fitues, atëherë
mund të thuhet se vendi i ka hyrë një stabiliteti pa kthim dhe integrimi në familjen europiane është më i sigurtë se kurrë.
XS
SM
MD
LG