Ndërlidhjet

P. MOORE: ME BE-në GJËRAT MUND TË DALIN JASHTË KONTROLLIT


Patrick Moore, analist i Evropës së Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, plasaritja në marrëdhëniet amerikano-evropiane e thelluar me luftën në Irak ishte e pranishme edhe më herë. Disa komentatorë, veçanërisht evropianë, për raportet e keqësuara ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit fajësojnë qarqet neo-konservative në Shtetet e Bashkuara, ndërsa disa të tjerë akuzojnë Evropën për diplomaci të zbehtë dhe mungesë të sensit për interesat amerikane. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Mendoj se fajin e kanë të dyja palët. Së pari.. sa i përket marrëdhënieve amerikano-evropiane, problemi nuk ka qenë i njëjtë në të gjithë vendet evropiane. Në Francë dhe në Gjermani ndoshta gjendja ishte më keq, ndërsa në Itali dhe në Spanjë, pavarësisht se qeveria mbështeti qëndrimin amerikan, hulumtime të opinionit publik tregojnë që vendimet e qeverisë nuk kishin mbështetje të gjerë. Përveç kësaj ka patur reagime të ndryshme edhe në vendet e tjera prandaj nuk mund të flitet për një qëndrim unik evropian. Por çdo ngjarje që nga zhdukja e kërcënimit sovjetik më 1991, bëri të qartë që problemi i përbashkët, i cili i lidhte këto vende së bashku u hoq, dhe shumë ekspertë në atë kohë parashikuan që herët apo vonë do të shfaqeshin vështirësi brenda Aleancës Atllantike. Ndoshta disa ndryshime janë të nevojshme, do të ketë probleme dhe mund të supozojmë që jo gjithmonë do të jenë të lehta. Prandaj nuk duhet të jetë befasi.
Ajo që bënë amerikanët në rastin e Irakut ishte që refuzuan të krijojnë situatën që kishte një kuptim në konfliktin në Kosovë, ku mblodhën gjithë aleatët dhe vendosën për një mision. Pra ishte koalicioni që vendosi misionin. Ndërsa, në rastin e Irakut ata thanë që misioni vendos për koalicionin, pra me fjalë të tjera do të mblidhnin vetëm aleatët të cilët ishin të gatshëm të mbështetin atë që donin të bënin amerikanët. Dhe kjo u kritizua në pjesën më të madhe të Evropës si një diktat amerikan dhe një përpjekje për të përdorur NATO-n si një "kuti veglash" ku merren vetëm "veglat që duhen ". Ndoshta amerikanët mund ta kishin manaxhuar këtë çështje më ndryshe. Nga ana tjetër nëse shohim për shembull kancelarin gjerman Shrëder, ai lansoi një fushatë zgjedhore gati histerike antiamerikane, me anë të së cilës u rizgjodh, bëri gjithshka në mënyrë publike dhe irritoi mjaft amerikanët. Ndërsa paraardhësi i tij ish kancelari Helmut Kohl, tha që edhe ai nuk do të kishte dërguar trupa gjermane në Irak, por nuk do të kishte bërë një cirk publik lidhur me këtë çështje, do të kishte shkuar në Uashington vazhdimisht për të folur me amerikanët, gjë që Shrëderi nuk e bëri. Pra siç ua kam thënë dhe disa miqve të mi gjermanë, ajo që shqetësonte shumë persona në Amerikë, nuk ishte pozicioni gjerman, por ajo se si gjermanët u sollën lidhur me këtë çështje... cirku publik i një fushate ndjenjash antiamerikane. Çfarë rezultoi nga e gjithë kjo? Siç e përshkoi një analist rezultati ishte një çrregullim i plotë diplomatik. Pra nuk besoj se këto kanë qenë thjesht ndryshime në pozicione vetëm lidhur me Irakun, por një problem që priste të ndodhte dhe që u manaxhua në një mënyrë mjaft të keqe sidomos nga Zhak Shiraku dhe Gerhard Shrëderi.

RADIO EVROPA E LIRË
Numër i konsiderueshëm i analistëve thonë se në periudhën e ardhshme Shtetet e Bashkuara do të jenë të preokupuara me terrorizmin dhe armët e shkatërrimit në masë, ndërsa gjeografikisht do të merren me Lindjen e Mesme dhe Azinë. Sipas tyre vështirë se mund të merret me mend rrezikimi i interesave vitale të Shteteve të Bashkuara diku tjetër e veçanërisht në Evropë. Qëndron ky konstatim apo jo?

PATRICK MOORE
Ndoshta interesat më vitale janë me armët e shkatërrimit në masë në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore, por kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara t'i harrojnë interesat e tyre në rajone të tjera. Kemi shumë interesa në vende të tjera dhe shpresoj që kjo do të mbahet mirë në kujtesë në Uashington me kalimin e viteve. Ideja se mund të përqëndrohemi vetëm në një sërë problemesh, ashtu siç thonë disa nga vendet evropiane, nuk mund të vlejë për një fuqi të madhe që është e vetmja superfuqi. Francezët e dinë që kanë interesa anembanë botës, ata intervenojnë në Afrikë, duan të intervenojnë në Haiti dhe janë shumë të aftë që t'u shkaktojnë probleme amerikanëve në OKB dhe e pranojnë që kanë interesa shumë larg vendit të tyre. Amerikanët gjithashtu duhet të mbajnë mend se kanë interesat e tyre në Ballkan, në Amerikën Latine, në Azinë Lindore dhe këto interesa nuk kufizohen vetëm në krizën e madhe në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, çfarë do të thonë gjithë këto zhvillime për Ballkanin dhe veçanërisht për Kosovën. Para pak ditësh dëgjuam Havier Solanën të ketë thënë se Unioni Evropian dëshiron rol më të madh në Kosovë.

PATRICK MOORE
Shpresoj që amerikanët të arrijnë të kuptojnë dhe të kujtojnë se kanë interesa vitale në Evropë dhe që është e rëndësishme që të ruajnë praninë ushtarake në Ballkan dhe sidomos në Kosovë dhe Bosnje. Bashkimi Evropian do një rol më të gjërë për veten e tij dhe arsyeja për këtë është që janë tepër të padurueshëm për të patur një rrëfim të suksesshëm. Politika e tyre e përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë nuk ka qenë shumë e suksesshme, sepse nuk mund të merren vesh për shumë çështje. Prandaj ajo që janë përpjekur të bëjnë, është që të tregojnë se misioni shumë i vogël ushtarak i BE-së në Maqedoni ishte i suksesshëm, por ajo që është edhe më e rëndësishme, po përpiqen që Marrëveshjen e Ohrit të 2001 ta deklarojnë si një sukses të BE-së, ndërkohë që çdokush që ndiqte ngjarjet në atë kohë e di që ambasadori amerikan Pardew luajti një rol shumë të rëndësishëm në bindjen e shqiptarëve për këtë Marrëveshje. Mendoj që Bashkimi Evropian është kaq i padurueshëm që të ketë sukses në mënyrë që të tregojë që është një forcë e suksesshme ndërkombëtare, saqë po kërkon projekte të lehta dhe nëse nuk kanë sukses, marrin meritën që amerikanët kanë fituar. Kështu, tani ata duan të marrin misionin në Bosnje, sepse puna aty pothuajse ka mbaruar dhe ky është një projekt i lehtë, dhe po shikojnë nga Kosova në mënyrë që të tregojnë që amerikanët nuk janë të nevojshëm në Evropë dhe që Bashkimi Evropian mund të drejtojë gjithshka vetë. Por mendoj se kjo është pak si shumë ambicioze, sepse nuk mendoj se shqiptarët i besojnë Bashkimit Evropian dhe kam frikë se nëse BE-ja do të përpiqet të drejtojë gjërat, askush nga asnjëra palë nuk do ketë shumë respekt për ta dhe gjërat mund të dalin jashtë kontrollit.

Intervistoi Melazim Koci
XS
SM
MD
LG