Ndërlidhjet

logo-print

GJENERALI ÇEKU MBËRRIN NË PRISHTINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Uroj që rasti im të jetë rasti i fundit i arrestimit të shqiptarëve sipas fletarresteve të Serbisë, ka thënë sot me t'u kthyer në Prishtinë komandanti i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës gjenerali Agim Çeku, i cili dje u arrestua nga autoritetet e policisë kufitare hungareze. Gjenerali Çeku ka arritur sot në aeroportin e Sllatinës në orën 3 pasdite, me ç'rast ka thënë se arsyet e ndalimit të tij nga autoritetet hungareze, ishin të njëjta me ato të arrestimit të tij të tetorit të kaluar në Slloveni.
"Ishte ky i njëjti rast, i njëjti arsyetim me të cilin u ndalova nga autoritetet hungareze. Duhet të shpreh kënaqësinë time që i kthehem përsëri TMK-së, kënaqësinë time që i kthehem përsëri Kosovës, por në të njëjtën kohë shpreh një keqardhje për faktin që ndodhi dhe që u përsërit ky rast. Shpreh keqardhje që shkaktova një shqetësim të panevojshëm, në radhë të parë familjes, ushtarëve të mi, institucioneve të Kosovës qoftë atyre vendore dhe ndërkombëtare dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Uroj që ky të jetë rasti i fundit jo vetëm për mua por për çdo qytetar të Kosovës që të ndodhë diçka e tillë", tha gjeneral Çeku.
Për ta pritur atë kishin dalë zyrtarët më të lartë të TMK-së si dhe disa zyrtarë të UNMIK-ut që kanë të bëjnë me koordinimin e punëve me Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Kjo ishte hera e dytë që gjenerali Çeku arrestohet jashtë Kosovës për shkak të fletarresteve të lëshuara nga Serbia, pasi në tetor të vitit të kaluar, ai u arrestua në aeroportin e Ljubjanës në Slloveni.
Zyrtarë të policisë së UNMIK-ut thanë se janë të vetëdijshëm që kjo nuk është hera e parë e arrestimit të gjeneralit Çeku sipas fletarresteve të lëshuara nga Serbia përmes Interpolit, mirëpo UNMIK-u nuk mund të ndikojë mbi Interpolin, tha zëdhënësi Derek Chappell.
" Ne mund të kontrollojmë përmes Interpolit për të parë se për çfarë fletarrestesh bëhet fjalë mirëpo nuk mund të kërkojmë që të moszbatohen fletarrestet e caktuara", tha zoti Chappell, sipas të cilit jo vetëm policia e UNMIK-ut, por asnjë polici tjetër në botë nuk ka të drejtë të kërkojë moszbatimin e fletarresteve të një vendi tjetër. Unë e di që këto fletarreste mund të datojnë nga koha e Millosheviçit, apo mund të jenë më të vonshme, por kjo është çështje e Interpolit që të merret me autoritetet e Serbisë. Ai tha se secili personalitet i rëndësishëm i Kosovës mund të shkojë në policinë e UNMIK-ut dhe të vërtetojë nëse emri i tij është në listat e Interpolit për t'u arrestuar, mirëpo policia nuk mund të tërheqë gjithë listën dhe t'u tërheqë vërejtjen personave të caktuar se janë në listat e Interpolit, pasi janë qindra ndoshta mijëra emra në listat e Interpolit që kërkohen për t'u arrestuar, tha zoti Chappell.




XS
SM
MD
LG