Ndërlidhjet

PRAGË


Nga shpërthimet e sotme të fuqishme në Bagdad dhe në Qerbela të Irakut kanë humbur jetën më shumë se 120 persona myslimanë shiitë. Në këto dy qytete, shiitët mbanin manifestime lidhur me festën e ashureve. Koha e këtyre sulmeve ka shkaktuar spekulime të menjëhershme se sulmet kishin për qëllim të provokojnë një konflikt civil. Ibrahim Jafari është anëtar i Këshillit qeverisës të Irakut. Ja se ç'tha ai për sulmet sotme në Bagdad dhe në Qerbela:
- Këto akte janë kundër popullit të Irakut dhe kundër procesit politik kah pavarësia dhe çlirimi i Irakut. Njëherësh, kjo është përpjekje për të shkaktuar përçarje ndërmjet myslimanëve suni dhe atyre shiitë.

Zyrtarë të një partie politike të shiitëve në Irak, kanë thënë se ata dyshojnë se lojalistët e Saddam Hussenit, të mbështetur nga grupet e jashtme terroriste, po përpiqen të nxisin një luftë civile. Adnan Pachachi, poashtu anëtar i Këshillit qeverisës të Irakut, ka thënë se për viktimat e këtyre sulmeve do të mbahen tri ditë zie. Mëtutje zoti Pachachi tha:
- Kjo nuk do të na ndal ne që të vazhdojmë me përpjekjet tona për të punuar së bashku për ta ndërtuar një Irak të ri në të cilin të gjithë njerëzit do të marin pjesë për krijimin e një të ardhme të lumtur dhe prosperuese.
Lidhur me sulmet e sotme në Bagdad dhe në Qerbela, nga të cilat siç thamë, u vranë më se 120 persona myslimanë shiitë, në Londër u prononcua edhe sekretari i jaashtëm britanik, Jack Straw:
-Nuk është koincidencë, sipas mendimit tim, që këto zhvillime ndodhën në ditët e festimit në bashkësinë shiite dhe vetëm një ditë pas lajmeve për marrëveshjen lidhur me Kushtetutën e përkohshme të Irakut.
XS
SM
MD
LG