Ndërlidhjet

logo-print

E. HASANI: BISEDIMET PARAQESIN FAZË TË RE NË RAPORTET KOSOVË-SERBI


Enver Hasani, ekspert i të Drejtës Ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Në Prishtinë u mbajt takimi i parë i grupeve për energji në kuadër të bisedimeve teknike ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të unionit Serbi Mali i Zi. Si e vlerësoni ju këtë zhvillim?

ENVER HASANI
Mendoj se fillimi i sotëm i dialogut shënon një fazë të re. Ky format i dialogut me kuptim mbajtjen e tij në Prishtinë, shënon një fazë të re në raportet serbo-shqiptare, përkatësisht në raportet Kosovë- Serbi dhe si i tillë duhet të shikohet si përafrim jo i qëndrimeve por i palëve për vete ndaj çështjeve që më vonë do të dalin dhe duhet të jenë edhe më serioze sesa këto që cilësohen si teknike.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistë të ndryshëm thonë se pavarësisht nga cilësimi "biseda teknike", këto takime kanë një karakter politik. Çfarë mendoni ju në këtë aspekt?

ENVER HASANI
Zakonisht nga praktika ndërkombëtare, kur një dialog konsiderohet si teknik ai e ka kuptimin se që atëhere çështje të tjera madhore, domethënë çështjet meritore, çështjet kryesore janë të zgjidhura, kurse këto tekniket përbëjnë modalitete të stabilizimit të problemit kryesor dhe kështu është dhe me rastin e bisedave teknike. Sado që për palën kosovare kjo nuk është e qartë, mendoj se kosovarët më vonë do të ndeshen edhe me çështje të tjera që haptazi prejudikojnë çështjen e statusit final të Kosovës. Unë atëhere pres që të ketë një natyrë tjetër dialogu serbo-shqiptar. Ndërkohë ata që e thonë politike mendoj që kanë parasysh këtë që thashë dhe unë dhe mendoj se kanë të drejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët termin një natyrë tjetër. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

ENVER HASANI
Një natyrë tjetër në sensin që këto biseda a kanë për qëllim riintegrimin apo kthimin e Kosovës në Unionin Serbi Mali i Zi, përkatësisht a konsiderohet e mbyllur çështja e statusit dhe këto biseda janë vetëm në vijën e zbatimit të marrëveshjes për Unionin Serbi Mali i Zi, apo është e kundërta e saj që këto bisedime teknike kanë për qëllim stabilizimin e Kosovës dhe hapjen me të vërtetë të çështjes së statusit çfarëdoqoftë ai. Mendoj se ky versioni i dytë është më pak me gjasa që të ndodhë, sepse nuk mendoj se status quoja dhe kjo gjendje e modalitetit, ky format i dialogut mund të shkojë për një kohë shumë të gjatë. Herët ose vonë duhet të bëhet shumë e ditur se çfarë funksioni kanë patur bisedat teknike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, bisedimet teknike janë dhe njëri nga standardet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Duke patur parasysh prioritetet e paraqitura nga kryeministri i Serbisë lidhur me Kosovën, sipas jush, a ka gjasë që në këto bisedime në përgjithësi të arrihet sukses?

ENVER HASANI
Për disa prej segmenteve, problemeve që shtrohen në këto biseda unë besoj që do të ketë sukses, sepse edhe sikur ne të ishim shtet sovran dhe i pavarur, një pjesë shumë e madhe e dialogut Serbi Kosovë afërsisht do të kishte këtë përmbajtje. Ndërkohë ajo që unë e cilësova si natyrë tjetër, që varet nga statusi i Kosovës në të ardhmen, unë besoj që ajo pjesë tjetër e dialogut nuk do të ketë sukses dhe unë pres së paku që nëse shkohet me një tempo të shpejtë për një kohë jo fort të largët që të vihet re ngecja e dialogut deri tek hapja e letrave dhe shikimi sy më sy se ku jemi dhe cila është pozita aktuale, statusi aktual i Kosovës.

Intervistoi Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG