Ndërlidhjet

FILLUAN MANIFESTIMET "EPOPEJA E UÇK-së"


Zijadin Gashi, Prishtinë

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëri që bota ta kuptoj luftën e drejtë të Kosovës për çlirim, dhe me ndihmën e botës demokratike dhe të NATO-s, Kosova arriti të çlirohet, tha sot kryeministri Bajram Rexhepi, në manifestimin e shënimit të gjashtë vjetorit të epopesë së luftës së UÇK-së. Mirëpo, pas luftës, shtoi kryeministri i Kosovës, disa qendra të caktuara po përpiqen që këto vlera t’i minimizojnë dhe t’i japin kështu kahje tjetër luftës çlirimitare:
- Pas luftës, lavdia e fitores dhe kontributi i luftëtarëve filluan të mos vlerësohen drejtë. Filloi përbaltja dhe minimizimi i luftës çlirimtare, duke e identifikuar ushtrinë dhe luftën me individë të veçantë. Jemi të bindur se ky zhvleftësim nuk mund të ndodhë as pas arrestimeve të ish-luftëtarëve mbi akuzat e trilluara dhe të motivuara politikisht.

Rexhepi tha, po ashtu, se vetvendosja e Kosovës po kushtëzohet përmes standardeve, mirëpo ne nuk duhe t’u frikësohemi këtyre standardeve, tha ai për të shtuar se Kosova do t’i plotësoj ato dhe do të realizoj pavarësinë e saj.

Masës së tubuar për të shënuar këtë manifestim iu drejtua dhe komandanti i TMK-së, gjenerali Agim Çeku, i cili tha se përkundër shumë goditjeve që po u bëhen këtyre trupave, TMK megjithatë do të jetë forcë mbrojtëse e Kosovës e pranuar dhe ndërkombëtarisht:
- Ne jemi këtu për ta udhëhequr TMK-në drejt një force të denjë për mbrojtjen e Kosovës. Kjo është detyrë dhe misioni ynë, prej të cilës nuk do të heqim dorë.

Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ish-shef i drejtorisë politike të UÇK-së, tha se përmes luftës, UÇK-ja dhe populli i Kosovës ia dolën ta çlirojnë Kosovën, por tha ai, ne ende nuk e kemi realizuar synimin tonë kryesor:

- Sot, Kosova është e lirë, por jo e pavarur. Kosova është e përcaktuar për implementimin e kritereve demokratike për ndërtimin e shoqërisë moderne, sepse për këtë luftuam dhe jemi duke punuar, sepse ky është vizioni i Kosovës.

Hashim Thaçi mëtutje tha se është i bindur se presionet nuk do ta ndalin Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë. Me mesazhe të njejta, është paraqitur dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së, i cili tha se lufta e fituar do të rezultojë dhe me ndërtimin e shtetit të Kosovës, të integruar në strukturat evro-atlantike:

- Ashtu si ditëm ta fitojmë luftën do të dimë ta ndërtojmë paqen dhe jetësojmë vullnetin e popullit të Kosovës për Kosovën shtet sovran e të pavarur, të zhvilluar ekonomikisht dhe të gatshëm për integrimet evro-atlantike.

Në këtë manifestim të organizuar në Prishtinë, morën pjesë numër i madh qytetarësh për ta nderuar betejën e armatosur para gjashtë vitesh në Prekaz të Drenicës, kur qe vrarë dhe Adem Jashari, i cili nga shqiptarët e Kosovës njihet si komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
XS
SM
MD
LG