Ndërlidhjet

HARRI HOLKERI ENDE NUK E KA NËNSHKRUAR RREGULLOREN PËR ZGJEDHJET NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Sistemi zgjedhor që duhet aplikuar në Kosovë dhe për çështja e listat e votuesve a duhet të jenë të hapura apo të mbyllura, ka nxitur debate të ndryshme në Kosovë, që konsistojnë në faktin nëse votuesit në zgjedhjet e vjeshtës për deputetë në parlamentin e Kosovës duhet të votojnë për partitë apo për kandidatët për deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës mbron qëndrimin që listat duhet të jenë të mbyllura, tha zëdhënësi, Lulzim Zeneli:

- Sa i përket sistemit proporcional, atëherë LDK ka dhënë qëndrimin për sistemin proporcional me lista të mbyllura.

Ndërkohë, dy partitë e tjera më të mëdha e kanë kundërshtuar këtë qëndrim. Deputeti i PDK-së, Gani Koci që njëkohësisht ka qenë edhe anëtar i grupit punues të OSBE-së për zgjedhjet tha:

- Qëndrimi i PDK-së edhe në grupin punues të zgjedhjeve ka qenë i qartë dhe ka qenë konsekuent që sistemi zgjedhor të jetë proporcional me një zonë të vetme dhe me lista të hapur.

Votimi me lista të hapura është përkrahur edhe nga organizatat joqeveritare, të cilat ditë më parë kanë organizuar një tubim para selisë së UNMIK-ut, duke kërkuar listat e hapura. Ata i kanë dërguar dje një letër kryeadministratorit Holkeri dhe shefave të pesëshes diplomatike në Kosovë, duke kërkuar votim me lista të hapura, duke i cilësuar votimet e tilla më demokratike.
Mirëpo, Lidhja Demokratike mendon se listat e hapura do të shkaktonin probleme:

- Nëse në një zonë zgjedhore kemi një sistem proporcional me lista të hapura, atëherë do të kishim edhe probleme të tjera që mund të shkaktojnë konfuzitet më të madh që do ta komplikonte gjithë sistemin.

Mirëpo, përfaqësuesi i PDK-së, zoti Koci mendon se sistemi i votimit me lista të hapura është me demokratik:

- Është e natyrshme që ata që duan të votojnë duhet të dijnë se për kë votojnë dhe se përveç lidhjes që i votuari ka me partinë të ketë edhe me votuesin, në mënyrë që të krijohet një lidhje jo vetëm deputet-parti, por edhe deputet-zgjedhës.

Ndërkaq, zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lidholm mendon se listat e hapura do të mund të dëmtonin strukturën gjinore të Kuvendit të Kosovës:

- Debati është zhvilluar rreth asaj se disa aprti politike dhe organizata të tjera kanë kërkuar listat e hapura, mirëpo ne duam të sigurohemi që të mbtetet niveli aktual i përfaqësaimit të femrave në Kuvend.

Zoti Lindholm, mëtutje përkujton se sipas rregullores së vjetër për zgjedhjet, secila nga subjektet politike duhet të ketë një nivel prej 30 për qind të përfaqësimit të femrave në parlament.
Ai tha se OSBE-ja i ka dhënë rekomandimet kryeadministratorit dhe atij i mbetet të vendosë lidhur me koncenzusin i cili kryesisht ka ekzistuar, përveç çështjes së listave nëse ato duhet të jenë të mbyllura apo të hapura.

Ndërkohë, kryeadministratori ende nuk e ka nënshkruar rregulloren për zgjedhjet, tha zëdhënësi Sunil Narula:

- Nuk ka ndodhur asgjë e re dhe nuk mund të parashohim modelin zgjedhor, para se të dalë rregullorja.
E vetmja gjë që dihet aktualisht është se situata do të zgjidhet nga regullorja që do ta nënshkruajë së shpejti kryeadministratori Holkeri, ndërkohë që partitë politike nuk kanë paralajmëruar ndonjë hap tjetër për të kundërshtuar një rregullore eventuale të zotit Holkeri që nuk do të përfillte qëndrimet e njërës apo palës tjetër.
XS
SM
MD
LG