Ndërlidhjet

INDIFERENCA E QYTETARËVE TREGON SE UNMIK-U ENDE KA PUSHTETIN FAKTIK NË KOSOVË


Milazim Krasniqi, Prishtinë

Kërkesat e disa organizatave të shoqërisë civile që të ndërrohet sistemi zgjedhor në Kosovë nga një sistem proporcional me lista të mbyllura, në një sistem proporcional me lista të hapura, ka disa javë që po testojnë aspektet e mentalitetit dhe të kulturës politike. Debatet që u zhvilluan në disa tryeza publike të këtyre organizatave argumentuan se listat e hapura vërtet u ofrojnë qytetarëve më shumë mundësi që të dinë për kë votojnë. Përkundër këtij argumentimi teorik, protestat publike të organizuara prej tyre zbuluan indiferencën e dhimbshme të qytetarëve të Kosovës. Grumbullimi i vetëm dhjetra protestuesve në Prishtinë dhe në Pejë, sikur e dhanë mesazhin se kjo temë nuk ka të bëjë me qytetarët e Kosovës, madje dhe publiciteti qe më i pakët mbase për faktin se këta protestues treguan kulturë të lartë qytetare sepse as nuk thyen xhama, as nuk sulmuan kënd. Indiferenca e qytetarëve të Kosovës ndaj kërkesave në rritje që të adaptohet një sistem zgjedhor me lista të hapura është shenjë e mentaliteteve që nuk kanë arritur të transformohen. Sipas mendësisë së shoqërisë së mbyllur, zyrtarët e lartë e dinë paraprakisht se çfarë duhet të bëhet, ndërsa qytetari i zakonshëm nuk ka pse mendon dhe pse kërkon ndonjë gjë. Gjithshka që mund të bëjë ai është të votojë për partinë e tij të preferuar, pa e ditur se kush do të jetë përfaqësuesi i tij në parlament, çfarë profesioni ka ai, çfarë aftësie dhe çfarë ndershmërie posedon i zgjedhuri i tij. E pra kjo topitje e kureshtjes së qytetarit kosovar për kandidatët që nesër do ta përfaqësojnë, është në kundërshtim me kureshtjen e madhe të këtyre qytetarëve për biografitë dhe bëmat e kandidatëve për senatorë apo për president të Shteteve të Bashkuara. Ka gjasë që indiferenca ndaj sistemit zgjedhor në vend të jetë pasojë edhe e mosbesimit të qytetarëve në kompetencat e institucioneve vendore kosovare. 5 vjet të administrimit civil ndërkombëtar u kanë dhënë provën se pushteti faktik në Kosovë është UNMIK-u, ndërsa institucionet vendore kanë më shumë rol dekorativ. Në rast se ky është perceptimi dominues i qytetarëve, atëhere para zgjedhjeve është e domosdoshme që të ndodhë bartja substanciale e kompetencave në mënyrë që të rritet motivimi për dalje në zgjedhje. Organizatat joqeveritare me debatet dhe me protestat e tyre e kanë kryer punën e vet në këtë temë, por tashmë ato e kanë arritur pikën kritike të angazhimit. Nëse shkojnë më tutje në variantin e ndonjë kthese për bojkot, atëhere do ta rrënonin edhe atë angazhim pozitiv të deritanishëm. Ftesa për bojkot të zgjedhjeve do të ishte një komplikim i tërë procesit dhe marrje e përgjegjësisë për dështimin eventual të procesit zgjedhor. Ndërsa në një zhvillim të tillë, subjektet që janë bllokuese të vërteta të procesit, do të dilnin të lara. Në atë rast kultura politike egzistuese do të mbetej e ngurtësuar edhe për një mandat.

XS
SM
MD
LG