Ndërlidhjet

PRIMICERI: RRUGA E KOSOVËS DREJT EVROPËS SHKON PËRMES STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Sektori Jugperëndimor i KFOR-it nuk do ta zvogëlojë numrin e ushtarëve në Kosovë, deri pas zgjedhjeve, ndërkohë që vetë reduktimi do të shkojë paralelisht me bartjen e kompetencave te policia, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, komandanti i Brigadës Shumëkombëshe të Jugperëndimit, gjenerali italian Alberto Primiceri. Ai ka thënë gjithashtu se rruga e përmbushjes së standardeve është rruga më e drejtë drejt Evropës:
"Është e sigurt se Evropa e pret Kosovën dhe Evropa bën gjithëshka është e mundur në mënyrë që Kosova sa më parë të jetë pjesë e kësaj familjeje të madhe," tha gjenerali Primiceri, duke u shprehur i bindur se rruga e filluar e përmbushjes së standardeve është rruga e drejtë, edhe pse ky nuk është një proces i lehtë. Mirëpo, tha Primiceri, kjo rrugë e vështirë ua mundëson të gjithëve një të ardhme të sigurt dhe të qetë dhe nëse kjo do të jetë e ardhmja e Kosovës, atëherë Kosova është e mirëseardhur në Evropë.
Brigada Shumëkombëshe e Jugperëndimit përfshin një territor të gjerë, duke qenë kështu sektori më i madh me numër i KFOR-it.
Gjenerali Primiceri situatën në Kosovë e ka vlerësuar të qetë:
"Mendoj se situata është mjaft e qetë, por jo edhe stabile. Më duhet të them se në sektorin tonë të përgjegjësisë nuk ka pasur incidente të mëdha, edhe pse kohët e fundit ka ndodhur një sulm kundër ministrit Ethem Çeku," tha gjenerali Primiceri, për të shtuar se detyrë e ushtarëve të tij është garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e këtij rajoni, prandaj ne jemi dhe do të jemi të gatshëm të ndërhyjmë për të penguar veprimet që nxisin destabilizim.
Gjenerali Primiceri tha se një ndihmë të madhe KFOR-it i ka dhënë bashkëpunimi shumë i mirë me banorët vendës të sektorit, që mbulohet nga forcat të cilat komandohen me sistem rotacioni nga gjermanët dhe italianët.
"Mendoj se ushtarët tanë nuk janë të rrezikuar nga faktori njeri, por nga faktorë të ambjentit, por është normale që personat përgjegjës për sigurinë t’u ekzspozohen rreziqeve të ndryshme," tha gjenerali Primiceri, për t’u pajtuar me ish-komandantin e KFOR-it amerikan gjeneralin Jerry Beck, i cili pati deklaruar se rreziku më i madh për ushtarët e KFOR-it në Kosovë është trafiku dhe moti i lig.
Gjenerali italian i KFOR-it ka thënë se aktualisht nuk shihte kërcënime serioze kundër serbëve në zonën e tij të përgjegjësisë, mirëpo ajo që ka vërejtur është se nuk ekziston vullneti për dialog as nga shqiptarët dhe as nga serbët:
"Mirëpo, ajo që unë kam vërejtur është se as te shqiptarët dhe as te serbët nuk ekziston vullneti për dialog. E di që pesë vjet ndoshta është një distancë e vogël kohore nga drama që ka goditur këtë rajon, por kur ky problem të zgjidhet, atëherë gjërat do të shkojnë më lehtë," tha Primiceri.
Gjenerali italian i ka vlerësuar të mira raportet me TMK-në në zonën e tij të përgjegjësisë, ndërsa sa u përket reduktimeve ka thënë:
"Sa i përket brigadës sonë, mund të them se kemi ristrukturim, pasi NATO-ja është e pranishme në shumë vende të botës, mirëpo deri në fund të zgjedhjeve në Kosovë, nuk do të kemi ndonjë zvogëlim drastik të numrit të ushtarëve tanë," tha gjenerali Primiceri, duke siguruar se as zvogëlimi i numrit të ushtarëve nuk do të hetohet shumë, pasi ky proces do të shkojë paralelisht me bartjen e përgjegjësive nga KFOR-i tek autoritetet e policisë.


XS
SM
MD
LG