Ndërlidhjet

ZGJEDHJET DO NDIHMOJNË PROCESIN E STANDARDEVE, SHPREHEN PARTITË POLITIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zgjedhjet e sivjetme parlamentare nuk do të duhej të kenë ndikim në procesin e përmbushjes së standardeve, thonë deputetë të partive më të mëdha në Kosovë. Sipas tyre, dy proceset e kaluara zgjedhore kanë dëshmuar se Kosova është e përgatitur për proces demokratik dhe ngritje të institucioneve funksionale.
Alush Gashi, deputet dhe anëtar i Kryesisë së i LDK-së, thotë se për Kosovën do të ishte më mirë sikur standardet të ishin vënë pas zgjidhjes së statusit, por sidoqoftë, thotë ai, zgjedhjet e sivjetme nuk do të kenë efekte negative në humbjen e enegjisë në përmbushjen e tyre:
“Ngritja e institucioneve demokratike në Kosovë, e ka dëshmuar pjekurinë politike të qytetarëve të Kosovës. Në takimet me elektoratin bindja për pavarësi të Kosovës është e plotë. Unë pres që në zgjedhjet, debati të jetë i një niveli shumë më të lartë sesa pritet nga ata që e monitorojnë Kosovën në këtë proces”, tha Alush Gashi.
Kurse, nënkryetari dhe deputeti i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se institucionet e Kosovës duhet të kenë programe të qarta për plotësimin e standardeve. Mirëpo pavarësisht faktit se institucionet do të kenë angazhim parësor standardet, partitë politike, thotë Kuçi, padyshim se do të angazhohen për rezultate më të mira në zgjedhje, kështu që gara e tyre për pushtet, do të reflektohet në një masë edhe në procesin e përmbushjes së standardeve, pohon ai:
"Mund ta kemi të qartë se zgjedhjet dhe standardet janë në korelacion njëra me tjetrën, në radhë të parë para bashkësisë ndërkombëtare duke treguar aftësi për realizimin e tyre dhe njëkohësisht duke e ndërlidhur me vullnetin tonë për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës sa më herët. Po në anën tjetër mund të jenë edhe pengesë në realizimin e standardeve kur kemi parasysh se e gjithë puna jonë, e partive politike, është në funksion të ngritjes së procesit zgjedhor, e ngritjes së rezultateve apo fitimit të zgjedhjeve. Në këtë drejtim mendoj që edhe realizimi i standardeve duhet të jetë dhe do të jetë në funksion për aq sa i ndihmon zgjedhjet, ndërsa në pjesën ku i pengon zgjedhjet apo do të ndikojë negativisht në elektorat, me siguri se edhe ne do të jemi të kufizuar, edhe të tjerët”, tha Hajredin Kuçi.
Në anën tjetër, Bajram Kosumi, nënkryetar dhe deputet i AAK-së, mendon se zgjedhjet në asnjë mënyrë nuk do ta pengojnë procesin e standardeve, por sipas tij, përkundrazi, ato do ta ndihmojnë këtë proces:
“Nuk është pengesë, mendoj se është një plus në plotësimin e standardeve. Sa më shumë që të mbajmë ne zgjedhje dhe sa më shumë që kemi kaluar nëpër zgjedhje dhe atë kemi kaluar mirë, si shoqëri, ne do të thotë se po japim edhe një provë se shoqëria jonë po shkon kah një demokraci, se institucionet e Kosovës janë të interesuara dhe kanë vullnet, bashkë me partitë politike, që të përfillin vullnetin e qytetarëve të Kosovës, votën e votuesve dhe të përfillin rregullat e lojës demokratike”, tha Bajram Kosumi.
Përndryshe, ditëve të fundit, shefi i administratës së UNMIK-ut Harri Holkeri, si edhe ai i diplomacisë evropiane Havier Solana, u kanë bërë thirrje subjekteve politike të Kosovës, që të mos shpenzojnë shumë energji në fushatat e tyre zgjedhore dhe që këtë energji ta harxhojnë në drejtim të përmbushjes së tetë standardeve, përmes së cilave, bashkësia ndërkombëtare i premton Kosovës, se me plotësimin e tyre do të fillojë dhe procesi i definimit të statusit të ardhshëm të Kosovës.

XS
SM
MD
LG