Ndërlidhjet

SHOQATAT E GRAVE TË KOSOVËS KËRKOJNË ZGJEDHJE ME LISTA TË HAPURA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Listat e hapura do të rrezikonin debalancimin e strukturës gjinore të parlamentit të Kosovës në dëm të femrave, thonë zyrtarët e OSBE-së, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organizatave të grave në Kosovë thonë se këtij problemi mund t’i gjendet formula përkatëse, madje edhe duke rrezikuar për pjesëmarrje më të vogël të grave, si çmim që duhet paguar për demokracinë. Këto vlerësime janë bërë sot në ditën ndërkombëtare të gruas, kur organizata të shoqërisë civile dhe të grave të Kosovës duke kërkuar zgjedhje me lista të hapura, kanë hedhur simbolikisht lule në selinë e UNMIK-ut, duke thënë se për tetë mars nuk na duhen lulet, por listat e hapura që i kanë cilësuar një mënyrë më demokratike të të votuarit.
Ndërkohë që rregullorja e re për zgjedhjet ende nuk është nënshkruar nga kryeadministratori Harri Holkeri, një zëdhënës i OSBE-së Sven Lindholm tha se dilemat e OSBE-së lidhur me listat e hapura kanë të bëjnë pikërisht me përfaqësimin e femrave në parlament:
"Ne duam të sigurohemi që niveli i caktuar i femrave të jetë i përfaqësuar në parlament, ndërsa me lista të hapura është vështirë të sigurohemi nëse ndonjë femër do të mund të zgjidhet," tha Sven Lindholm.
Rregullorja e vjetër për zgjedhjet obligonte partitë partitë politike që 30 për qind nga numri i kandidatëve dhe 30 për qind e vendeve të fituara në parlament t’u takonin grave.
Mirëpo, zonja Sevdie Ahmeti nga rrjeti për mbrojtjen e gruas dhe fëmijës thotë se listat e hapura nuk rrezikojnë për të zvogëluar numrin e femrave në parlamentin e Kosvës, pasi edhe për këtë ekzistojnë formula, që nuk do të rrezikonin dispozitat e kornizës kushtetuese:
"Aty është një nen ku minoriteti serb ka vende te rezervuara në parlament, që do të thotë se 50 për qind e vendeve janë të rezervuara, dhjetë vende dhe pesëdhjetë për qind vende të tjera shkojnë me votime, për serbët. Atëherë pse të mos ketë mundësi që edhe kuota për çështje gjinore të hyjë pesëdhjetë për qind në vende të rezervuara, kurse pesëdhjetë për qind të shkojë në lista të hapura," tha zonja Ahmeti, sipas të cilës në këtë mënyrë do të sigurohej cilësia dhe përgjegjësia, gjë të cilat askush nuk di se nga kush t’i kërkojë tani, pasi deputetët janë caktuar nga partitë politike. Prandaj, thotë zonja Ahmeti, kuota gjinore nuk ka vlerë, nëse ajo nuk respektohet edhe në vendimarrje, pasi sipas një hulumtimi, gratë e Kosovës janë të përfshira vetëm 11 për qind në udhëheqje në komunat e Kosovës, në parlament dhe në Universitetin e Prishtinës. Edhe Lulzim Peci, udhëheqës i organizatës KIPRED thotë se debalancimi i mundshëm me listat e hapura do të ishte mospërfillës:
"Jo nuk shkakton kurrfarë debalancimi. Ka mundësi që gratë i humbin tri-katër vende, por jo, pasi sistemi parasheh që prej 30 vendeve në listën e mbyllur, 15 prej tyre do të jenë femra, që do të thotë çdo e dyta të jetë femër. Po ashtu, ne supozojmë që edhe në zgjedhjet me lista të hapura do të ketë mjaft gra të zonjat që do t’i fitojnë zgjedhjet," tha zoti Peci sipas të cilit një debalancim eventual prej dy-tre vednesh do të ishte çmimi i demokracisë.
Sidoqoftë, përfaqëesit e shoqërisë civile dhe disa parti politike kërkojnë zgjedhje me lista të hapur dhe shtatë zona zgjedhore, në mënyrë që siç thonë ata besuarit e popullit, ta marrin votën e bashkë me të edhe përgjegjësinë gjatë kohës që përfaqëson qytetarët në parlament.


XS
SM
MD
LG