Ndërlidhjet

HOLKERI NË BEOGRAD KUNDËRSHTON KANTONIZIMIN E KOSOVËS


Marash Berisha, Beograd

Kryeadministratori i UNMIK-ut Harri Holkeri u takua sot në Beograd me kryeministrin e Serbisë Vojisllav Koshtunica. Ky takim kishte të bënte me vazhdimin e nesërm të dialogut të shqiptarëve dhe serbëve në Prishtinë.
"Kam ardhur në Beograd për të informuar kryeministrin Koshtunica lidhur me fillimin e dialogut të grupeve të punës për aplikimin e standardeve", ju tha gazetarëve kryeadministratori i Kosovës. Ai shtoi se e ka pyetur kryeministrin dhe ka kërkuar shpjegim rerth qëndrimit që ai ka paraqitur në tribunën e Kuvendit të Serbisë, për kantonizimin e Kosovës.
"I thashë Koshtunicës se aktualisht nuk mund të bëhet fjalë për ndarjen e Kosovës. Në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit idetë dhe propozimet e tilla nuk janë tema shqyrtimi. Natyrisht", shtoi Holkeri," ne jemi gati të dëgjojmë të gjitha idetë dhe qëndrimet e qeverisë së Serbisë. Kuptova se deklarata në fjalë e kryeministrit përbën vetëm hapjen e diskutimit", deklaroi Harri Holkeri, për të thënë më tej se pret një bashkëpunim të mirë me Vojisllav Koshtunicën. Ai bëri të ditur sot në Beograd se dialogu i Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë nesër me bisedimet e grupeve të punës që merren me çështjen e personave të humbur.
Holkeri ju bëri thirrje edhe njëherë përfaqësuesve të serbëve që të inkuadrohen në grupet për aplikimin e standardeve, mirëpo nga kryeministri serb nuk morri kurrfarë shenje për mundësinë e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në to.
Në këtë mes Holkeri shtoi:
"Kur është fjala për standardet dhe aplikimin e tyre është shumë e rëndësishme të theksohet se ato kanë të bëjnë me mbrojtjen e serbëve dhe të bashkësive të tjera jo shqiptare në Kosovë. Secili prej këtyre 8 standardeve i referohet sigurimit dhe funksionimit të drejtë të të gjitha institucioneve dhe mundësisë së kthimit dhe të lirisë së qarkullimit për të gjithë banorët e Kosovës. Ne veç prej një kohe po punojmë në fushën e aplikimit të këtij procesi, por serbët fatkeqësisht nuk u bashkuan me atë akoma", konkludoi Holkeri.



XS
SM
MD
LG