Ndërlidhjet

STANDARDET PO ECIN NË DREJTIMIN E DUHUR VLERËSOJNË SHEFAT E PESËSHES NË PRISHTINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefat e pesëshes diplomatike në Kosovë kanë vlerësuar se procesi i standardeve që do ta çojë Ksoovën drejt statusit përfundimtar po shkon mirë dhe së shpejti do të jetë i kompletuar edhe plani për përmbushjen e tyre. Këto komente janë bërë nga shefat e zyrave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë dhe Francës, të cilët janë takuar sot me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri:
"Duket që gjërat po shkojnë përpara shumë mirë dhe duhet të kompletohet shumë shpejt," tha shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries. Në këtë kuadër ajo e ka vlerësuar si një hap shumë të rëndësishëm dialogun teknik që ka rifilluar javën e shkuar dhe këtë javë ndërmjet grupeve teknike të Prishtinës dhe Beogradit:
"Mendojmë se fillimi i dialogut është një arritje shumë e rëndësishme për ç’gjë secili duhet të jetë i përkushtuar dhe kjo është diçka vërtet e mirë, prandaj ne shpresojmë që të vazhdojë me sukses," tha zonja Ries. Shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri në takimin e sotëm i ka njoftuar shefat e pesëshes të njohur këtu si quinti diplomatik, lidhur me procesin e finalizimit të planit për përmbushjen e standardeve, i cili po shqyrtohet këtu pasi Grupi i Kontaktit javën e kaluar ka bërë komentet lidhur me të.
Edhe shefi i zyrës italiane, Pasquale Salzano tha se plani do të bëhej gati shpejt:
"Mendoj se po shkojmë drejt rezultateve të mira dhe procesi i standardeve po shkon në drejtimin e duhur," tha zoti Salzano. Ne, tha ai kemi dërguar komentet tona lidhur me planin për standardet që janë komente pozitive dhe po presim shqyrtimin e tyre dhe shumë shpejt do të ketë rezultate të mira.
Ndërkohë që lidhur me standardet tha se pritet shqyrtimi i komenteve të Grupit të Kontaktit, shefi i zyrës britanike, Marc Dickinson theksoi se dialogu është në funksion të kërkimit të zgjidhjeve në vend të problemeve:
"Është mirë për të gjithë që dialogu ka filluar në mënyrën e duhur dhe me ekspertë. Më e mira e kësaj pune është që po kërkohet zgjidhja në vend të kërkimit të problemeve," tha zoti Dickinson.
Në anën tjetër, shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries ka pranuar të komentojë edhe lidhur me debatin që ditët e fundit po zhvillohet në Prishtinë për çështjen nëse votimi duhet të bëhet me lista të hapura apo me lista të mbyllura të kandidatëve. Ky debat është shenjë e demokracisë, tha zonja Ries, mirëpo nuk deshi të komentojë qëndrimin e saj lidhur me çështjen e listave të kandidatëve:
"Qeveria amerikane nuk ka ndonjë preferencë," tha shkurt zonja Ries.
Sidoqoftë, konsultimi i zotit Holkeri me shefat e quintit diplomatik vlerësohet si një shenjë se plani për përmbushjen e standardeve ka hyrë në fazën e tij të përfundimit, ndërkohë që ka mbetur pak më shumë se një vit deri tek afati i përcaktuar nga nënsekretari amerikan i shtetit Marc Grossman për Kosovën, që t’i përmbushë standardet para fillimit të përcaktimit të statusit të saj përfundimtar.






XS
SM
MD
LG