Ndërlidhjet

GËRXHALIU: GRUPET PUNUESE PËR TË ZHDUKURIT PREKËN TË GJITHA TEMAT


Bekim Bislimi, Prishtinë

Nga rreth 900 kufoma të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, të cilat rreth dy vjet më parë janë gjetur në varrezat masive në Serbi, deri më tani në Kosovë janë sjellë më pak se 200 prej tyre dhe ndonëse ekzistojnë të dhënat se rreth 500 rezultate të analizave të ADN-së janë pozitive, procesi i krahasimit të të dhënave para vdekjes dhe pas saj, është duke shkuar mjaft ngadalë, thotë Arsim Gërxhaliu, ekspert i mjekësisë ligjore dhe anëtar i grupit punues kosovar për të zhdukurit, në bisedimet për çështje teknike në mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Pa dyshim se është kohë e gjatë. 500 analiza janë të gatshme. Atje kanë mbetur, diku edhe rreth 800 kufoma, do të thotë, pritet edhe për 300 të tjera të vijnë analizat e gjithëmbarshme të ADN-së. Këtu tani, faktikisht puna më e madhe është e kryer, por duke u bazuar në ligjet e një shteti, kërkohet që të bëhet identifikimi i plotë. Prandaj, domethënë, shumë kohë është duke u humbur në krahasimin e të dhënave antemorten dhe postmorten, që një gjë të tillë nuk e fal edhe shkenca e mjekësisë ligjore. Kjo gjë do të mund të kryhej shumë më shpejt. Për këtë arsye edhe ne insistojmë që ato kufoma që kanë analizë pozitive të ADN-së, të kthehen menjëherë në Kosovë dhe ne këtë punë do ta kryejmë sa më shpejt që është e mundur”, thotë zoti Gërxhaliu.
Ndërkaq, gjatë viteve të pasluftës, një nga kërkesat e vazhdueshme të familjarëve të të zhdukurve në Kosovë, ka qenë që kufomat e shqiptarëve të gjetur në varrezat masive në Serbi, të kthehen në Kosovë. Kthimi i shpejtë nga Serbia i këtyre kufomave, ka qenë edhe një nga çështjet për të cilat është biseduar në takimin e parë ndërmjet grupeve përkatëse të të dyja palëve, në kuadër të dialogut për çështje teknike në mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne kemi biseduar rreth kësaj çështjeje dhe jam i kënaqur me fillimin e këtij dialogu. Janë shtruar dhe prekur të gjitha pyetjet, por kryesorja është që, në muajin e ardhshëm ne do të udhëtojmë për Beograd dhe atje do të kalojmë në pika konkrete dhe në një aksion më të shpejtë të ndërmarrjes së hapave konkrete”.
Zoti Gërxhaliu, thotë se është i kënaqur me mënyrën e qasjes ndaj problemeve të shtruara nga të dyja grupet punuese, të Prishtinës dhe Beogradit, në takimin e djeshëm të këtyre palëve.
“Është parë se qasja e të dyja palëve është mjaft serioze dhe po qe se vazhdon kështu, unë kam shumë besim në sjelljen e rezultateve në afate sa më të shkurta”.
Sidoqoftë, në ditën e premte të kësaj jave, pritet që në Kosovë të kthehen edhe 40 kufoma të shqiptarëve të gjetura në varrezat masive në Serbi.



XS
SM
MD
LG