Ndërlidhjet

VAZHDOJNË DEBATET MBI SISTEMIN ZGJEDHOR NË KOSOVË


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Debatet e kohëve të fundit mbi sistemin zgjedhor në Kosovë kanë bërë që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të shpjegojë sistemin me lista të mbyllura dhe një njësi zgjedhore, me të cilin janë organizuar deri më tani zgjedhjet në Kosovë dhe të komentojë kërkesën e disa organizatave joqeveritare që ky sistem të reformohet me lista të hapura dhe disa njësi zgjedhore. Zëdhënësi i kësaj organizate Sven Lindholm tha se asnjëri prej këtyre sistemeve nuk është i përsosur, por secili prej tyre ka shënuar suksese nëpër botë.
"Njerëzit votojnë për partitë politike dhe programet e tyre me bindjen se ato do të përfaqësojnë interesat e tyre të përgjithshme. Fakti se në cilindo sistem janë partitë politike ato që zgjedhin përfaqësuesit e tyre nëpër lista, duket se është harruar nëpër debatet që po dëgjohen së fundi", tha zoti Lindholm. Ai gjithashtu hodhi poshtë vlerësimet se organizata e tij favorizon sistemin me lista të mbyllura.
"Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim më Evropë vërtet nuk ka asnjë preferencë se cili sistem do të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme. Ne vetëm jemi në kërkim të definimit se cili sistem është më i afërt me votuesit dhe më i afërt me kërkesat e tyre," tha zoti Lindholm.
Ai ngriti dhe çështjen e diskutimeve se sistemi me lista të mbyllura ndikon në numrin e njerëzve që dalin për të votuar, duke thënë se një gjë e tillë është e vështirë të vërtetohet.
"Numri i zgjedhësve të cilët kanë dalë në tre votimet e para ka qenë më i lartë se në shumë vende evropiane dhe është e arsyeshme të supozohet se në këtë drejtim më shumë ndikon interesimi i opinionit për çështjet rreth të cilave ata shpresojnë se do të zgjidhen nëpërmjet votimeve dhe jo sistemit zgjedhor", tha zoti Lindholm. Sipas tij është votuesi ai që ndikon në rezultatin e zgjedhjeve dhe jo sistemi mbi të cilin organizohen zgjedhjet. Sidoqoftë grupi punues mbi zgjedhjet në kuadër të OSBE-së ka dalë me rekomandimet e veta, por pa një konsesus mbi atë nëse listat duhet të jenë të hapura apo të mbyllura. Këtë vendim tani duhet ta marrë shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri. Zëdhënësja e tij Izabela Karlovicz tha se ai ende është duke e shqyrtuar këtë çështje si prioritare në agjendën e tij.
Ndryshe një numër organizatash joqeveritare deri tani kanë organizuar disa debate dhe protesta në kërkim të listave të hapura. Ndërkaq partitë kryesore politike janë relativisht të ndara lidhur me këtë çështje. Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë në të cilat do të votohet për përfaqësuesit e institucioneve qëndrore, priten të mbahen në vjeshtën e këtij viti.



XS
SM
MD
LG