Ndërlidhjet

KUHNER: PAVARËSIA E KOSOVËS DO TË ARRIHET GJATË 3-5 VITEVE TË ARDHSHME


Ndarja e Kosovës nuk mund të pranohet si mundësi zgjidhjeje e problemit nga perëndimi për një morri arsyesh, ka deklaruar eksperti amerikan Xhefri Kuhner lidhur me propozimin e fundit të kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica për ndarjen e Kosovës.
"Së pari për më mirë apo për keq, çështja e shqiptarëve të Kosovës ka qenë në mjaft raste e propaganduar, e mbështetur dhe e pranuar nga shumë në perëndim. Dhe mendoj se ideja e ndarjes së Kosovës është tepër e vështirë për t'u gëlltitur nga perëndimi dhe gjithashtu edhe për shumicën shqiptare që ta pranojnë", thotë eksperti Kuhner.
Më tej ai shton se ndarja e Kosovës është plotësisht e papranueshme edhe për shumicën shqiptare të Kosovës:
"Ndarja nuk është e vlefshme për më tepër kur mbi 90 për qind e popullsisë është shqiptare dhe pothuajse çdo parti politike me një lloj peshe në Kosovë është zotuar për pavarësi të plotë dhe të pakushte. Mendoj se këtu faktet demografike, historike janë vërtet kundër serbëve dhe mendoj se është thjesht çështje kohe që Kosova të fitojë pavarësisnë e plotë", sqaron Kuhner.
Duke iu përgjigjur pyetjes se kur mund të shihet zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës dhe çfarë do të jetë ky status, Kuhner thotë:
"Mendoj që pavarësia e Kosovës mund të ndodhë brenda 3-5 viteve të ardhshme dhe për këtë mendoj që nuk ka dyshim. Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet dhe sa më herët që të zgjidhet, më mirë do jetë, siç mendojnë shumë në perëndim. Pra brenda 3-5 viteve të ardhshme do të shohim të paktën një lloj referendumi në Kosovë dhe mjaft ngjashëm dhe një njohje ndërkombëtare të saj." thotë eksperti amerikan Kuhner.
Sipas tij ndarja e Kosovës është një skenar i papranueshëm për perëndimin pasi kjo do të hapte një proces të papëlqyeshëm në rajon. Kuhner pohon se ndarja e Kosovës mund të ketë ndikim në Maqedoni, derisa perëndimi nuk mbështetet një destabilizim të Maqedonisë për një numër arsyesh.
"Qeveritë në perëndim nuk do donin të shihnin Maqedoninë të ndahej, sepse kjo do të çonte në destabilizmin e gjerë të rajonit, madje rrezikon dhe një konflikt etnik ku do të mund të përfshiheshin grekët, ndoshta turqit, padyshim bullgarët, por dhe Shqipëria e Serbia. Pra do të ishte sërish një cikël i dhunës ballkanike." thotë eksperti amerikan Kuhner.
Sipas tij problem kryesor mbetet Bosnja-Hercegovina, ku rreziku i ndarjes, kërcënimi nga fondamentalizmi islamik dhe mospajtimi mes etnive e lënë tërësisht të paqartë të ardhmen e Bosnje Hercegovinës.
XS
SM
MD
LG