Ndërlidhjet

B.HAXHIU: DIALOGU TEKNIK PARAQET NJË RELAKSIM SIMBOLIK


Baton Haxhi, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, javën e kaluar dhe këtë javë ka rifilluar dialogu teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me takimet e grupeve për energjetikë dhe për të zhdukurit. Si e vlerësoni ju këtë?

BATON HAXHIU
Është në kuadër të projektit që e ka krijuar një bazë në Vjenë dhe kjo më shumë është shtytje e bashkësisë ndërkombëtare, sesa që të dyja palët, shqiptarët dhe serbët janë të gatshëm ta nisin dialogun. Vetë fakti se grupi i ekspertëve ka filluar dialogun pa ndonjë bazë që do t’i bëjë publike opinionit si në Kosovë si në Serbi, tregon për seriozitetin e këtij dialogu dhe kjo e para, ndërsa e dyta është se bashkësia ndërkombëtare ka arritur qëllimin e saj që të shkruajë raportet e saj për Këshillin e Sigurimit se në njëfarë mënyre ka nisur procesi i dialogimit serbo-shqiptar, që unë e quaj vetëm si proces i relaksimit, deri sa të fillojë dialogu i vërtetë, sidomos për të zhdukurit. Unë mendoj që ky proces teknik i dialogimit nuk do të sjellë risi gjatë këtij viti, por është vetëm një simbolikë e kontakteve serbo-shqiptare në tryezë dhe kjo simbolikë në njëfarë mënyre sjell atë që bashkësia ndërkombëtare e quan sukses të saj dhe standardin për dialogun që, në fakt, nuk është standardi që e dëshirojnë ata, por është fillim i një diçkaje që quhet imponim dialogues.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, ju e përmendët lidhjen ndërmjet dialogut Prishtinë-Beograd dhe standardeve. A mund të konsiderohet si përmbushje e standardeve dhe a do të konsiderohet si i tillë vetë vullneti i palëve për të dialoguar?

BATON HAXHIU
Unë mendoj që kur preken çështjet esenciale do të ketë probleme serioze, pasi grupet që dialogojnë për këto probleme nuk kanë kurrfarë fuqie politike dhe as janë ekspertë të tillë që mund të definojnë apo vendosin për problemet dhe sidomos për të zhdukurit. Nëse hapet mënyra se si janë zhdukur dhe fillojnë të jepen listat se si janë vrarë ata, atëherë fillon edhe eksplodimi i çështjeve politike, i cili nuk kisha dashur të ndodhë para zgjedhjeve, pasi do të reflektonte drejtpërdrejt në zgjedhjet e tetorit. Po, unë nuk pres asgjë nga ky dialog dhe ky është relaksim simbolik, të cilin nuk mund ta quaj madje as relaksim formal, pasi relaksimi formal e ka një kuptim, por ky është relaksim simbolik dhe më shumë i nevojitet bashkësisë ndërkombëtare, sesa është i suksesshëm për të dyja palët që dialogojnë. Standardi nuk përmbushet në atë mënyrë, pasi temat janë të pashtruara me seriozitet, por janë tema që përmbushin një kuptim të standardit që ka të bëjë me dialogun. Nuk mendoj se do të sjellë risi, nuk mendoj se do të ketë sukses, nuk mendoj se ky dialog do të jetë referencë e dialogut të vërtetë. Domethënë, për të ardhmen do të jetë vetëm një kujtesë se është takuar një grup eskpertësh me emra që nuk i njohin në opinionin publik, përveç Ali Hamitit që është profesor universitar. Problemi i energjetikës është i bartur te njerëzit që nuk kanë një referencë të ekspertëve nga e kaluara. Kjo sa i përket energjetikës, ndërsa sa i përket grupit për të zhdukurit, simbolika në dialogun për të zhdukurit është edhe më e shprehur sesa tek energjetika, sepse unë mendoj që të zhdukurit ose dialogu për të zhdukurit është ekskluzivisht problem politik dhe aspak teknik, pasi dhuna, vrasjet nuk kanë qenë vrasje teknike, nuk kanë qenë referenca individuale, por kanë qenë projekt politik dhe meqenëse ka qenë projekt politik, atëherë është ekskluzivisht politik dhe në momentin që hapet dosja e vrasjeve dhe e mënyrës së vrasjeve dhe kush i ka bërë ato, atëherë kjo do të shndërrohet në një eksplodim, prandaj jam shumë skeptik, sidomos ndaj problemit të të zhdukurve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, ndërkohë, Grupi i Kontaktit i ka kthyer UNMIK-ut përgjigjen bashkë me komentet për planin për përmbushjen e standardeve. Si i parashihni ju gjasët për përmbushjen e këtyre standardeve, kur ka mbetur pak më shumë se një vit?

BATON HAXHIU
Mendoj se standardet janë ekskluzivisht qëndrim politik. Nëse SHBA-të dëshirojnë të tërheqin vëmendjen nga Kosova pas zgjedhjeve dhe ikin krejtësisht në Lindjen e Mesme ku është kriza, atëherë ata do ta vendosin atë sentencën se standardet janë të përmbushura, për t’i hyrë problemit të statusit që vazhdon me përmbushjen e standardeve, por do ta kenë një emërtim tjetër. Deri sa dje ka qenë “Standardet para statusit”, tani “Standardet për Kosovën”, vitin e ardhshëm do të jetë “Kosova për standardet”, për shembull, apo “Statusi për standardet” dhe ky kontinuitet do të vazhdojë edhe në pesë vitet e ardhshme dhe nuk mendoj që problemi i statusit do të hapet aq lehtë, por do të vazhdojë procesi që unë e quaj procesi i tajvanizimit apo procesi politik si në Tajvan dhe Kosova do të përballet me një krizë morale brenda, me një krizë politike brenda, pasi problemi i statusit nuk do të jetë premtues, ashtu siç ka thënë bashkësia ndërkombëtare apo partitë politike të Kosovës. Unë mendoj se pavarësia është ende larg, jo për shkak të standardeve që ka përcaktuar bashkësia ndërkombëtare, por për shkak të mundësisë sonë për të nisur dialogun e vërtetë me serbët, apo se serbët nuk janë të gatshëm për këtë dialog, gjithsesi, për shkak të pazareve të brendshme politike dhe gjithashtu nuk mund të nisë, pasi bashkësia ndërkombëtare ende nuk është e sigurtë se kujt duhet t’ia lërë në dorë pavarësinë e Kosovës. Domethënë, sa i përket asaj se a është pavarësia diçka që do të realizohet, aty nuk ka dilema, por se sa do të zgjasë ky proces unë mendoj se do të zgjasë shumë më shumë sesa ne mendojmë dhe më pak sesa parasheh bashkësia ndërkombëtare, pasi ata kanë projekte afatmesme dhe afatgjata, domethënë se ku do të bartet komponenta e sigurisë. Nëse konsiderojmë se SHBA e kanë një referencë të sigurisë ku trupat amerikane apo bazat amerikane do të zhvendosen diku në Ballkan, meqenëse Rumania apo Shqipëria janë shtetet ku do të barten, pasi Serbia nuk është shtet që garanton për këto trupa, edhe komponenta e sigurisë do të jetë referenca kryesore e statusit të Kosovës.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG