Ndërlidhjet

logo-print

VAZHDON VIZITA E ZOTIT GUEHENNO NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

”Sa herë që vij në Kosovë e shoh se është arritur përparim, tha gjatë qëndrimit të tij në Kosovë nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së Jean- Marie Guehenno.
Guehenno pas takimit me presidentin Ibrahim Rugova përmendi si të arriturën më të madhe zhvillimin e Shërbimit Policor të Kosovës.
Shefi i Departamentit të Operacioneve Paqëruajtëse të Kombeve të Bashkuara Jean Marie Guehenno, tha se në Kosovë duhet të zhvillohet edhe më tej ekonomia, në mënyrë që të krijohen vende te reja të punës dhe të tërhiqen investorët.
“E sigurova presidentin se UNMIK-u dhe OKB-ja do të bëjnë maksimumin që të vazhdojnë procesin e privatizimit në mënyrë transparente dhe korrekte duke i mbrojtur kështu interesat e qytetarëve," tha Guehenno.
Guehenno tha se edhe përmbushja e standardeve lidhet me zhvillimin ekonomik.
“Sa më afër përmbushjes së standardeve që të jeni, aq më shumë do të rritet besimi i investorëve të huaj, por edhe i çdokujt në Kosovë. Do të derdhen me shumë para në Kosovë dhe njerëzit do ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë dhe kjo është ajo ajo që nënkuptojnë standardet," tha Guehenno.
Ndërkaq, presidenti Ibrahim Rugova tha se standardet do t’i përmbushin së bashku me administratën ndërkombëtare. Rugova tha se politika nacionale është, që Kosova të krijojë marrëdhënie të mira me fqinjët. Presidenti Rugova kërkoi nga nënsekretari i OKB-së Jean Marie Guehnno njohjen formale të pavarësisë, që sipas tij do të qetësonte rajonin dhe do të ndikonte në zhvillimin ekonomik.
“Pra, edhe ne si shumë vende të Evropës një pjesë të pavarësisë sonë do ta bartim në Unionin Evropian dhe sot të gjitha ligjet tona janë kompatibile me BE-në, me ekspertët ndërkombëtarë," tha Rugova.
Jean Marie Guehenno ka pasur një drekë pune me ministrat e qeverisë së Kosovës. Ai gjatë ditës do të takohet edhe me liderët e tjerë të institucioneve dhe të partive më të mëdha politike.
Guehenno po qëndron në një vizitë katërditëshe në Kosovë, më qëllim që të njihet për së afërmi me zhvillimet në kuadër të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara.




XS
SM
MD
LG