Ndërlidhjet

ALARMI I RREMË NË QENDËR TË PRISHTINËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qendra e Prishtinës është bllokuar sot sërish për rreth dy orë, pas një alarmi për vendosjen e një mjeti shpërthyes në sheshin “Nëna Terezë”. Për dallim nga ditët e fundit kur alarmet e tilla dolën të vërteta, kësaj radhe, sipas zëdhënësit të Shërbimit Policor të Kosovës, Refki Morina, një person i paidentifikuar kishte telefonuar policinë për një çantë të dyshimtë ushtarake të vendosur në qendër të qytetit, afër bustit të Zahir Pajazitit, por në të cilën në fakt nuk kishte kurrëfarë mjeti shpërthyes:
“KFOR-i, policia, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të instrumenteve për demolimin e mjeteve shpërthyese është verifikuar se në çantë nuk ka pasur ndonjë mjet shpërthyes, por ka qenë një lloj gasmaske dhe kështu që në tërësi, do të thotë trafiku është liruar menjëherë pas kësaj”, tha zëdhënësi Morina, duke shtuar se organet e hetuesisë dhe punëtorët e kriminalistikës dhe policia, janë duke i ndërmarrë të gjitha masat që këta persona apo grupe që janë duke vënë mjete shpërthyese të arrestohen. Ndërkohë sipas tij, disa prej të dyshuarve tashmë po hetohen dhe po merren në pyetje nga organet përkatëse:
“Në bazë të informacioneve të deritanishme dhe punës së vazhdueshme të punëtorëve të kriminalistikës teknike dhe të hetuesisë, në të gjitha rastet e dyshimta të personave janë duke u marrë në pyetje dhe në tërësi është duke u vazhduar procedura e identifikimit të autorëve të mundshëm të këtyre veprave”, tha Morina.
Përndryshe, ditëve të fundit policia ka marrë disa thirrje anonime, pas të cilave policia ka gjetur mjete shpërthyese në vende të caktuara në qytetin e Prishtinës. Këto incidente, i ka dënuar ashpër dhe Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, nëpërmjet një komunikate, ku thuhet se vendosja e mjeteve shpërthyese ditëve të fundit në Prishtinë po bëhet me qëllim të destabilizimit të Kosovës. Rugova ka kërkuar që kufijtë e Kosovës të kontrollohen më rreptë, meqë, sipas tij, shërbimet sekrete të infiltruara në Kosovë nga disa vende fqinje punojnë të të destabilizojnë Kosovën në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.
Në anën tjetër, policia vlerëson se tensionime të tilla ndodhin zakonisht kur në Kosovë vjen apo qëndron për vizitë ndonjë përfaqësues i lartë ndërkombëtar, siç është rasti me vizitën aktuale që po i bën Kosovës nënsekretari i OKB-së, Zhan Mari Geno.



XS
SM
MD
LG