Ndërlidhjet

B. REXHEPI: BE-JA MBETET E PËRKUSHTUAR PËR ZHVILLIMIN E KOSOVËS


Bajram Rexhepi, Kryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, si e vlerësoni takimin e sotëm me kryetarin e Komisionit Evropian Romano Prodi?

BAJRAM REXHEPI
Ishte një takim shumë i suksesshëm mund të them dhe mjaft konstruktiv me çështje shumë konkrete. U përqëndruam në implementimin e standardeve në agjendën e Stabilizim Asociimit që është për Kosovën në nivelin teknik dhe lehtësimet që do të ketë Kosova dhe rajoni për investime më serioze që të bëhet një zhvillim ekonomik. Nuk do të mungojë përkushtimi dhe ndihma e Komisionit Evropian por edhe e zotit Prodi në veçanti, i cili edhe më parë ka shprehur një gadishmëri, një përkushtim që Ballkani perëndimor në përgjithësi të ketë një perspektivë më të qartë dhe më të mirë veç integrimit në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
A u bë fjalë për ndihma konkrete?

BAJRAM REXHEPI
Ndihmat konkrete janë veç të destinuara. Ditë më parë zoti Solana ka rikonfirmuar ato që janë paraparë për Kosovën, por që një pjesë e tyre do të alokohet më tepër drejt implementimit të standardeve, të cilave edhe Bashkimi Evropian u jep një prioritet në këtë moment. Ndërsa ndihma tjetër konsiston në inkurajimin e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Bankës Evropiane për Investime, që të investojnë, të japin kredi lehtësuese për Kosovën, sidomos në ato ndërmarje të cilat mund të gjenerojnë mjete dhe kanë një perspektivë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, ju patët takim edhe me zyrtarë të NATO-s. Si e vlerësojnë ata situatën aktuale në Kosovë?

BAJRAM REXHEPI
Unë e pata me njërin prej tyre, me shefin e operacioneve Robert Seri, me të cilin jam takuar edhe më parë. Ishte një takim edhe informues edhe mjaft konstruktiv. Tregoi për planet e NATO-s që ndoshta do të zvogëlohet pak numri, por jo shumë, do të mbetet një numër i konsiderueshëm i trupave të NATO-s në Kosovë. Po ashtu dhe njëherë më konfirmuan se NATO-ja duhet të qëndrojë në Kosovë më gjatë. Ajo është konfirmuar edhe më herët. Do të bëhen disa lëvizje jo përnjëherë me grupe statike që kanë një motiv të jenë, por është edhe interesi i tyre dhe me kënaqësi pranuan dhe kërkesën tonë që NATO-ja duhet të qëndrojë më gjatë. Po ashtu biseduam edhe disa çështje me statusin e ardhshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Intervistoi Vullnet Poshka

XS
SM
MD
LG