Ndërlidhjet

DREJTUESIT E KUVENDIT KËRKUAN PËRFUNDIMIN E MISIONIT TË UNMIK-UT


Albana Isufi, Prishtinë

Drejtuesit e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga nënsekretari i OKB-së Jean- Marie Guehenno, që OKB të përfundojë misionin e saj në Kosovë. Pas takimit të Kryesisë së Kuvendit me nënsekretarin Guehenno, kryeparlamentari Nexhat Daci tha se OKB nuk duhet të bëjë shpenzime të panevojshme në Kosovë, por misioni i saj duhet t’i përfundojë proceset sa më shpejt dhe të mbetet një referencë pozitive.
“Ne po dëshmojmë çdo ditë, edhe me dialogun me Beogradin, se çdo standard që është i nevojshëm për Kosovën jemi të gatshëm ta respektojmë e përmbushim, prandaj mos të bëhen shpenzime të kota të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë,” theksoi Daci.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë, Bajram Kosumi, tha se kanë kërkuar nga nënsekretari Guehenno që misioni i OKB-së në Kosovë të transformohet nga mision qeverisës në atë këshilldhënës dhe ky mision të krijojë një politikë më pragmatike në raport me sfidat me të cilat po përballet procesi në Kosovë.
“Duhet bërë plotësimi i Qeverisë me kompetenca të reja, pra bartja e tërësishme e kompetencave, sepse çështja e ndarjes së kompetencave ndërmjet UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, e cila ka funksionuar me sukses një kohë, tani ndodhet në një rrugë pa krye”, tha Kosumi.
Nënsekretari i OKB-së Jean Marie Guehenno nuk ka arritur t’i bindë përfaqësuesit e koalicionit serb “Kthimi” që të marrin pjesë në grupet punuese për implementimin e standardeve. Shefi i këtij koalicioni Dragisha Kërstoviç tha pas takimit se nënsekretari Guehenno u ka thënë se standardet janë në të mirë të vetë qytetarëve serbë.
“Por për këtë unë nuk mund të them asgjë, vendimi do të merret pas mbledhjes së koalicionit “Kthimi”, tha Dragisha Kërstoviç.
Shefi i Departamentit të Operacioneve Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara Jean Marie Guehenno, i cili po qëndron në një vizitë katërditëshe në Kosovë i ka nxitur liderët kosovarë, që të përmbushin sa më shumë standardet, në mënyrë që të rritin besimin e investorëve, por edhe të qytetarëve të Kosovës.
Guehenno ka thënë sot paradite se sa herë vjen në Kosovë sheh se është arritur përparim, duke përmendur si të arriturën më të madhe zhvillimin e Shërbimit Policor të Kosovës. Por, ai tha se në Kosovë duhet të zhvillohet edhe më tej ekonomia, në mënyrë që të krijohen vende te reja të punës dhe të tërhiqen investorët.
“UNMIK-u dhe OKB-ja do të bëjnë maksimumin që të vazhdojnë procesin e privatizimit në mënyrë transparente dhe korrekte duke i mbrojtur kështu interesat e qytetarëve," tha Guehenno, duke shtuar se edhe përmbushja e standardeve lidhet me zhvillimin ekonomik.
Guehenno është takuar paradite me presidentin Ibrahim Rugova. Rugova e ka siguruar nënsekretarin Guehenno se standardet do t’i përmbushin së bashku me administratën ndërkombëtare. Ai kërkoi nga nënsekretari i OKB-së Jean Marie Guehenno njohjen formale të pavarësisë.
“Pra, edhe ne si shumë vende të Evropës një pjesë të pavarësisë sonë do ta bartim në Unionin Evropian dhe sot të gjitha ligjet tona janë kompatibile me BE-në, tha Rugova.”
Shefi i Departamentit të Operacioneve Paqeruajtëse të OKB-së Jean Marie Guehenno ka ardhur në Kosovë për t’u njohur për së afrëmi me zhvillimet në vend. Ai nesër do të udhëtojë për në Beograd, kurse në mbrëmje do të takohet në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi.
XS
SM
MD
LG