Ndërlidhjet

MADRID


Të paktën 190 njerëz janë vrarë dhe mbi 900 janë plagosur nga 10 shpërthimet e njëkohësishme në trenat dhe stacionet hekurudhore të Madridit.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por zyrtarët e qeverisë spanjole e kanë akuzuar grupin separatist ETA, i cili një kohë të gjatë po lufton për pavarësinë e Baskisë në Spanjën veriore.
Në fjalimin drejtuar kombit, kryeministri i Spanjës Jose Maria Aznar u zotua se do t'i arrestojë autorët e krimit.
"Kriminelët, të cilët sot shkaktuan aq shumë vdekje, do të arrestohen. Ata do të gjykohen dhe dënohen nga gjykatat, të cilat i nënshtrohen ligjit. Do t'i vuajnë dënimet e plota dhe nuk do të kenë kurrfarë zgjidhje tjetër, përpos që çdo mëngjes të zgjohen brenda mureve të burgut", tha Aznar.
Fushata elektorale për zgjedhjet e së dielës është pezulluar.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan tha se vrasja e njerëzve të pafajshëm është "moralisht e papranueshme", dhe shfaqi shpresë që përgjegjësit për vdekjet të sillen para drejtësisë.
Në Uashington, presidenti George Bush i shprehu mirënjohje Spanjës për qëndrimin e saj në luftën kundër terrorizmit.
"E çmoj lartë luftën e qeverisë spanjole kundër terrorizmit, dhe vendosmërinë e saj kundër organizatave terroriste, siç është lëvizja separatiste baske ETA. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë tyre", tha presidenti amerikan.
Ndërkohë agjencitë France Presse dhe Associated Press njoftuan se në një paralagje të Madridit, policia spanjole ka zbuluar një automjet me detonatorë dhe një audio-shirit në gjuhën arabe.
XS
SM
MD
LG