Ndërlidhjet

AUTORITETET E SERBISË I DORËZUAN UNMIK-UT TRUPAT E PAJETË TË 45 SHQIPTARËVE


Rrahman Paçarizi, kufiri Kosovë-Serbi në Merdare

Sot pas orës 13 në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare janë sjellë 45 kufoma të identifikuara të shqiptarëve të zhvarrosur nga varri masiv në Batajnicë afër Beogradit. Rreth njëqind familjarë nga anë të ndryshme të Kosovës të cilët kanë dalë për të pritur kufomat, janë shprehur të pakënaqur për shkak të mënyrës së kthimit të kufomave në grupe, dhe kanë kërkuar që kufomat të kthehen të gjitha mënjeherë, përndryshe kanë paralajmëruar kundërmasa:
"Kanë me qenë masa të vështira që të gjitha kufomat e identifikuara të mos na kthehen në parcela, pasi nuk do t’i pranojmë. Kjo ka hyrë në fuqi më përpara. Që sot e tutje nuk pranojmë më kështu kufoma me nga katër vetë ", tha Sevdie Frangu, duke shtuar se pa kthimin të gjitha kufomave nuk mund të ketë bisedime për të zhdukurit.
Edhe shefi i zyrës së UNMIK-ut për të zhdukurit dhe për mjekësi ligjore, Jose Pablo Baraybar tha se nuk është fare i kënaqur nga ritmi i tanishëm të identifikimit të të zhvarrosurve nga varret masive në Serbi:
"Unë nuk jam i kënaqur nga mënyra apo numri i kufomave që kthehen nga Serbia në Kosovë dhe këtë çështje ne e kemi ngritur sa herë jemi takuar me autoritetet e Beogradit," tha zoti Baraybar.
Ai tha se procesi i krahasimit dhe vërtetimit të analizave të ADN-së nuk kërkon kohë sa thotë Beogradi, pasi në Kosovë po arrihet që shumë shpejt të bëhet krahasimi i të dhënave të paravdekjes me ato të pasvdekjes dhe me analizat e ADN-së, prandaj i ka quajtur të paarsyeshme vonesat që po bën Beogradi zyrtar për kthimin e kufomave.
Grupi i sotëm i kufomave të shqiptarëve të sjella nga Serbia është i pari pas takimit të parë të grupeve punuese të Kosovës dhe të Serbisë e Malit të Zi për të zhdukurit, që është mbajtur të martën në Prishtinë.
Edhe udhëheqësja e grupit parlamentar për çështjen e të zhdukurve, Flora Brovina tha se përkrahte kërkesat e familjarëve:
"Ne mbështesim familjarët dhe mbështetemi në rezolutën të cilën e ka aprovuar Kuvendi, ku thuhet se nuk ka bisedime pa u kthyer kufomat e zbuluara,në varrezat masive, të cilat pa të drejtë mbahen në juridiksionin e Beogradit dhe nuk lëshohen për shkaqe politike," tha zonja Brovina, duke paralajmëruar se Kuvendi i Kosovës, edhe një herë do ta shqyrtojë zbatueshmërinë e rezolutës dhe do të thërrasë anëtarët e grupeve për bisedime për të parë se sa po e zbatojnë këtë rezolutë.
Nga gjithsej 836 kufoma që janë ekshumuar në disa varre masive në Serbi, deri më sot janë kthyer gjithsej 242 kufoma të shqiptarëve. Kufomat e sjella sot, sipas zotit Jose Pablo Baraybar janë nga vende të ndryshme të Kosovës, ndërkohë që kanë mbetur edhe rreth 600 kufoma të tjera në Serbi, të cilat presin të identifikohen dhe të kthehen për t’u varrosur në Kosovë.





XS
SM
MD
LG