Ndërlidhjet

MADRID


Në Spanjë po zhvillohen zgjedhjet parlamentare, vetëm tre ditë pas sulmeve ku humbën jetën rreth 200 veta e u plagosën mbi 1'500 të tjerë.
Pritet që në kundërpërgjigje ndaj sulmeve votuesit spanjollë të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.
Partia Popullore në pushtet parashihej të fitonte zgjedhjet, por sulmet e fundit, që mund të jenë dhe vepër e Al-Kaidës kanë ngritur dhe një herë pikëpyetjet rreth mbështetjes së qeverisë për Shtetet e Bashkuara gjatë luftës në Irak, politikë që nuk pati mbështetjen e publikut.
Separatistët bask të ETA-s, që u cilësuan nga qeveria si të dyshuarit kryesorë, kanë mohuar autorësinë e sulmit, por kanë kritikuar mbështetjen e Madridit për luftën në Irak. Ndërkaq militantë islamistë përmes një videokasete kanë marrë përgjegjësinë për sulmet. Me këtë rast ministri i Brendshëm spanjoll, Angel Acebes, ka deklaruar:
"Videokaseta e gjetur merr përsipër përgjegjësinë për sulmet e 11 marsit në Madrid. Pretendimi është bërë nga një arabfolës, me dialektin e Marokut. Personi në fjalë pretendon të jetë zëdhënësi i Al-Kaidës në Evropë, Abu Dujan al Afgani", tha Acebes.
Autoritetet marokene kanë identifikuar tre marokenët e arrestuar nga policia spanjolle, por kanë shtuar se nuk ka informacione se ata kanë lidhje me grupet islamike.
Gjatë fjalimit të tij të sotëm në sheshin e Shën Pjetrit në Romë, Papa Gjon Pali i Dytë, ka dënuar si akt të tmerrshëm sulmin në Madrid.
XS
SM
MD
LG