Ndërlidhjet

logo-print

23 TETORI DATA E ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri ka shpallur datën e zgjedhjeve të dyta parlamentare në Kosovë, për ditën e shtunë, më 23 tetor të këtij viti. Këtë vendim Holkeri e ka shpallur sot në një konferencë të përbashkët me nënsekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Joan Mari Guehnno. Shefi i UNMIK-ut, Holkeri, tha se kishte vendosur që bazuar në rekomandimet e grupit punues, edhe këto zgjedhje të mbahen me sistemin proporcional dhe me lista të mbyllura:
“Mendoj se listat e mbyllura janë opsioni më i mirë për Kosovën në këtë kohë”, tha Holkeri, duke shtuar se përmes tyre, sigurohet përfaqësim i duhur i femrës në parlament dhe institucione. Gjatë punës së grupit për zgjedhjet, listat e mbyllura janë mbështetur nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë dhe Lidhja Demokratike, ndërsa Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dy subjekte politike, si edhe shoqëria civile patën mbështetur listat e hapura. Sidoqoftë, Holkeri tha se bazuar në të gjitha llogaritjet e mundshme, në këtë kohë zgjedhjet duhet të mbahen me lista të mbyllura.
Ndërkohë, shefi i departamentit të Misioneve Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, Joan Mari Guehnno, tha se institucionet e tashme janë duke funksionuar dhe se gjatë vizitës së tij pesë ditëshe në Kosovë, kishte parë shumë zhvillime pozitive në Kosovë. Por, tha Guehnno, përmbushja e standardeve është një proces që do ta rrumbullakësonte suksesin në Kosovë, ngase sipas tij, në disa fusha, përparimet janë shumë larg asaj që dëshirohet. Në këtë aspekt, Guehnno kërkoi angazhim më të madh të kosovarëve dhe UNMIK-ut në vazhdimin e procesit të privatizimit, kthimin e të zhvendosurve, ngritjen e shkallës së sigurisë, lëvizjen e lirë si dhe zhbërjen e strukturave paralele:
“Mendoj se është absolutisht gabim që të kemi pushtete të ndryshme apo dualizëm pushtetesh, pasi Kosova duhet të administrohet nga vetë Kosova”, tha Guehnno, duke marrë si shembull egzistimin e strukturave paralele serbe në pjesën veriore të Kosovës. Ai tha po ashtu se nuk mund të parashikojë nëse Holkeri mund të konsiderohet si përfaqësuesi i fundit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, pasi sipas tij, shumë çka do të varet nga procesi i vlerësimit të standardeve që parashihet të ndodhë pas 17 muajve.
Qëndrimi pesëditësh i zotit Guehnno në Kosovë, shënoi vizitën më të gjatë që një zyrtar i Kombeve të Bashkuara i bëri Kosovës që nga vendosja e misionit ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG