Ndërlidhjet

KOSOVA ENDE LARG NGA NËNSHKRIMI I MARRËVESHJES SË ASOCIIM STABILIZIMIT ME BE-NË


Albana Isufi, Prishtinë

Komisioni Evropian e sheh si shumë të rëndësishme përmbushjen e standardeve dhe ka shprehur gadishmëri që ta ndihmojë këtë proces, thotë koordinatorja e Mekanizmit Përcjellës të Asociim- Stabilizimit në qeverinë e Kosovës, Venera Hajrullahu. Ajo thotë se kjo është dhe arsyeja pse temë qëndrore e takimit të Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit që do të mbahet të enjten, do të jenë standardet.
“Ky diskutim imponohet vetëvetiu nga vetë fakti se këto dy procese synojnë realizimin e progresit në fusha pothuajse të njëjta. Koordinatorët e planit për implementimin e standardeve është paraparë që të flasin për punën që është bërë deri tani si dhe për hapat e mëtejmë”, tha Hajrullahu.
Pas 3 takimeve të mbajtura të Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit, deri tani janë hapur për diskutim rreth 20 sektorë si në fushën e ekonomisë, në drejtësi, çështje të brendshme e në fusha të tjera. Zonja Hajrullahu thotë se Komisoni Evropian ka bërë rekomandime të veçanta për secilin sektor. Rekomandimet duhet t’i implementojnë institucionet e përkohshme të Kosovës.
“Këtu do të mund të përmendnim plotësimin e kornizës kushtetuese në përputhje me Acquis Communitaire, punën në drejtim të përshtatjes së politikave sektoriale me ato të BE-së dhe veprime në raport me rekomandimet më konkrete si zhvillimi i strategjisë antikorrupsion, ngritja e numrit të anëtarëve të pakicave në kuadër të administratës publike, nënshkrimi i marrëveshjeve për tregti të lirë etj”.
Sipas zonjës Hajrullahu Kosovës i duhet të punojë shumë për t’iu mundësuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit me BE-në, të cilën shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë e kanë nënshkruar.
“Jo, në këtë moment as që bëhet fjalë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe për dy arsye. E para, marrëveshjet mund të nënshkruhen vetëm me shtete, gjë që automatikisht nuk i lë Kosovës një mundësi të tillë, dhe së dyti Kosova ka vetëm një vit që është kyçur në këtë proces dhe ende nuk ka përfunduar as shqyrtimin e të gjitha sektorëve, në të cilat duhet dëshmuar progres në atë masë sa të flitet për hapje të negociatave, që do të shpinin te nënshkrimi i marrëveshjes,” tha Venera Hajrullahu.
Kosova është përfshirë ne Mekanizmin Përcjellës të Asociim- Stabilizmit në mënyrë që krahas vendeve të Ballkanit t’i arrijë standardet, që nevojiten për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Zyrtarët e BE-së patën thënë para një viti, se nuk duan ta përjashtojnë Kosovën nga Mekanizmi i Asociim Stabilizimit edhe pse ende nuk e ka të zgjidhur statusin final.





XS
SM
MD
LG