Ndërlidhjet

ASHKANLINJTË NË FERIZAJ SHEMBULL I MIRË I INTEGRIMIT NDËRETNIK


Bekim Bislimi

Për 4500 pjesëtarë të komunitetit ashkanli të cilët jetojnë në komunën e Ferizajt, ky qytet paraqet shembull më të mirë të tolerancës ndëretnike si dhe të lirisë së lëvizjes, thotë Sabit Rrahmani, kryetar i Partisë Demokratike të Ashkanlinjve të Kosovës. Ai thekson se komuniteti ashkanli e ka pranuar realitetin e ri të krijuar pas luftës në Kosovë, ndërkohë që komuniteti shqiptar i cili është shumicë në këtë qytet, ka treguar vendosmëri që të jetojë së bashku me pakicat tjera.
“Komuniteti shqiptar këtu në Ferizaj, komunitetin ashkanli e ka përkrahur që nga fillimi, pas luftës. Ne, tani këtu jemi të sigurtë në ekzistencën e komunitetit ashkanli. Besoj se kjo do të jetë shembulll edhe për komunat tjera. Trajtimi në mes komuniteteve është i barabartë. Ferizaj nuk dallon ngjyrën, racën, kombin apo fenë, por të gjithë janë të njëjtë”.
Në lagjen, të cilën 1500 banorët e saj ashkanlinj e quajnë lagjia e “Sallahanes”, aktivistët e këtij komuniteti janë përpjekur që të krijojnë lidhjet e pjesëtarëve të komunitetit të tyre me komunitetin shqiptar, duke formuar një qendër në të cilën çdo të dielë, ata takohen. Rexhep Bajrami drejtues i kësaj qendre thotë se çdo të dielë, aty organizohen mbrëmjet ku takohen të rinjtë.
“E kemi pasur një qëllim të caktuar që, njerëzit prej komunave tjera, të cilët e ndiejnë veten të izoluar, pak a shumë, ‘t’i çelin sytë’ diku. Kështu që, duke e marrë parasysh që komuna e Ferizajt është një prej komunave më të qeta në Kosovë, e kemi organizuar bashkë me këtë komunë dhe kemi parë një rezultat shumë të madh. Të rinjtë afrohen dhe çdo gjë shkon në rregull. Është shumë me rëndësi që, edhe pse kjo është Qendër e komunitetit për ashkanlinj, këtu vijnë 30% nga shumica shqiptare, njihen aty për aty dhe vazhdojnë shoqërinë, bëhet një integrim, çka ne edhe kemi menduar ta bëjmë”.
Pavarësisht lirisë së pakufizuar për të lëvizur, janë të paktë pjestarët e këtij komuniteti të cilët jetojnë në lagjen e Sallahanes, e që janë të punësuar. Sipas zotit Rrahmani 95 % e tyre jetojnë në varfëri dhe janë të evidentuar si raste sociale.
“Përafërsisht në komunën e Ferizajt janë të punësuar jo më shumë se 50 ashkanlinj nga e gjithë komuna. Kjo arrin diku afër 1% dhe ky është një problem shumë i madh”.
Shembull specifik i përballjes me varfërinë është familja 12 anëtarëshe e Ahmet Ahmetit, e cila jeton në një shtëpi të vjetër përdhese. Zoti Ahmeti thotë:
“Nuk punojmë kërkund, nuk kemi ndihmë nga askush dhe as që na viziton dikush, përveç jush që keni ardhur tani e ne na nevojitet që dikush të na ndihmojë. Tani po mbledhim llamarina dhe ndonjë hekur nëse dikush na jep dhe duhet punuar 2 javë për t’i marrë 20 euro që tju bëj fëmijëve pak bukë që të kenë për të ngrënë, se tjetër gjë me këto nuk mund të bësh”.
Ndërkaq bashkëshortja e tij Bedria thotë se fëmijët rrallëherë ngopeshin me bukë:
“Kushtet i kemi të vështira shumë. Të zhveshur dhe të zbathur, pa ngranë dhe pa pirë. Fëmijët po i kërkojnë të gjitha, por nuk po kemi. Askënd nuk e kemi të punësuar. T’ju them të drejtën, kemi dalur për të lypur dhe kemi siguruar pak miell. Jo që kemi ndihma prej dikujt, por askush nuk ka ardhur që t’na shoh jetën se si e bëjmë. Krejt shtëpitë i kemi kështu me dërrasa, as tavan nuk kemi, në beton dhe tokë. Jemi të sëmurë, por nuk kemi para që të shkojmë te mjeku”.
Kujtim Ahmeti thotë se kohë më parë vëllai i tij kishte vdekur për shkak se nuk kishin pasur mundësi që ta mjekonin.
“ Ai fëmijë ka vdekur 13 vjeçar, për shkak të kushteve të rënda. Ai na ka vdekur në duar sepse nuk kemi pasur mundësi të vrapojmë te mjekët dhe ta shërojmë. Ashtu i erdhi puna…”.
Sidoqoftë, sipas zoti Rrahmani, shumica e pjesëtarëve të komunitetit ashkanli në Ferizaj nuk kanë mundur as të konkurrojnë për tu punësuar për shkakun se ju mungojnë kualifikimet përkatëse. Ndërkohë, në këtë komunë janë duke ndjekur arsimin fillor dhe të mesëm rreth 1000 fëmijë të këtij komuniteti dhe sipas zotit Rrahmani, në këtë drejtim nuk ka pasur diskriminime ndaj askujt.

XS
SM
MD
LG