Ndërlidhjet

JOHNSON: TERRORIZMI DO MUNDET ME PËRPJEKJE TË PËRBASHKËTA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

NATO-ja është e përkushtuar për Kosovën dhe unë mund t’jua jap fjalën se ky përkushtim do të vazhdojë, ka thënë sot në Prishtinë komandanti i krahut jugor të NATO-s admirali Gregory Johnson, duke i quajtur të papranueshme shpërthimet e ditëve të fundit në Prishtinë, të cilat sipas tij e dëmtojnë edhe procesin e përmbushjes së standardeve. Këto komente admirali Johnson i ka bërë gjatë një vizite Prishtinës me ç’rast është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Kammerhof, me shefin e UNMIK-ut Holkeri, me kryetarin e Kosovës Rugova dhe me kryeministrin Rexhepi.
Unë jam i vetëdijshëm për shpërthimet e bombave dhe kërcënimet me bomba të ditëve të fundit, që ishin të drejtuara jo vetëm kundër komunitetit ndërkombëtar, por edhe kundër kryetarit Rugova, tha Johnson:
"Unë mund t’ju siguroj se e kam bërë të qartë se sjelljet e tilla janë të papranueshme dhe NATO-ja nuk do t’i lejojë gjërat e tilla dhe duke qenë se këto raste rrezikojnë standardet ato duhet ndaluar," tha admirali Johnson. Ai tha se Kosova ka përparuar dukshëm dhe nuk ka rast të veçantë që do të mund ta linte nën hije progresin e arritur.
Sidoqoftë ai nuk deshi të flasë se kur do të jetë koha kur KFOR-i do t’ia dorëzojë kompetencat në fushë të sigurisë një force vendore, por ajo që po bëjmë çon në këtë drejtim, tha Johnson.
Duke e falënderuar admiralin Johnson për vizitën, kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova e vlerësoi të mirë situatën e sigurisë në Kosovë:
"Në përgjithësi, siguria publike është më e mirë. Kemi disa incidente siç ishin këto të ditëve të fundit, por bashkë me UNMIK-un, KFOR-in dhe SHPK-në do të ndërmarrim masa që të kemi ambient më të sigurt," tha kryetari Rugova në paraqitjen e tij të parë publike pas sulmit të së shtunës kundër selisë së tij, me ç’rast nuk ka pasur të lënduar.
Edhe kryeministri Rexhepi e cilësoi situatën e sigurisë si shumë të mirë, duke e vlerësuar këtë një meritë edhe të NATO-s:
"Në Kosovë, përkundër përparimit evident në çështje të sigurisë, prezenca e NATO-s është e domosdoshme edhe për një kohë më të gjatë," tha kryeministri Rexhepi, ndërsa mysafiri i tij, admirali Johnson tha se me gjithë obligimet dhe kërkesat për vende të tjera të botës, ai mund t’ua jepte fjalën kosovarëve se përkushtimi i NATO-s do të jetë i vazhdueshëm.
Ndërkaq kryeadministratori Holkeri, i ka quajtur shqetësuese incidentet e fundit me bomba. Duke folur për zgjedhjet, ai tha se Kosova do të ketë zgjedhje të lira dhe korrekte dhe ato do të jenë të suksesshme, ashtu si edhe zgjedhjet e shkuara:
"Ne jemi të vendosur që të mos lejojmë askënd që të përdorë dhunën apo të kërcënojë dhe minojë zgjedhjet e ardhshme," tha Holkeri, duke u shprehur i bindur se situata në Kosovë nuk do të tensionohet gjatë zgjedhjeve dhe për shkak të zgjedhjeve, por nëse është nevoja, masat e sigurisë do të shtohen dhe ne do t’ia dalim, tha Holkeri.
Duke folur ndërkaq për terrorizmin global dhe nevojën e shtimit të masave për mbrojtjen e qytetarëve të Evropës pas sulmeve terroriste në Madrid gjatë javës së shkuar, admirali Johnson tha:
"Mendoj se mënyra më e mirë që ne ta mundim këtë kërcënim është që të kemi unitet të përpjekjeve. Nuk guxojmë të lejojmë që të na përçajnë, nuk mund t’i lejojmë terroristët të na përçajnë," tha admirali Johnson duke u shprehur i bindur se këtë unitet e shihte në gjithë bashkësinë ndërkombëtare, prandaj ishte i bindur edhe për fitoren kundër terrorizmit.


XS
SM
MD
LG