Ndërlidhjet

THAÇI: SHBA-TË VLERËSOJNË LART GATISHMËRINË TONË PËR IMPLEMENTIMIN E STANDARDEVE


Hashim Thaçi, Kryetar i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, ju gjendeni për vizitë në Shtetet e Bashkuara. Cili është qëllimi i vizitës dhe çfarë mund të na thoni për takimet e deritanishme?

HASHIM THAÇI
Vizita ime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në vazhdën e thellimit të bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me qeverinë e SHBA-ve në procesin aktual politik që po kalojmë, në avancimin e procesit, në implementimin e standardeve për Kosovën dhe përshpjetimin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Të gjitha takimet që janë duke u zhvilluar në Departamentin e Shtetit, në Kongres, Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë, janë duke çuar në drejtim të asaj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura që të jenë edhe më aktive në zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon dhe vlerësojnë lart punën e institucioneve kosovare, për implementimin e kritereve tona të përbashkëta për ndërtimin e Kosovës demokratike dhe të integruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, cilat janë përparësitë dhe shqetësimet në mënyrë konkrete të administratës amerikane, bazuar në takimet që keni patur deri tani?

HASHIM THAÇI
Mendoj se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është siç jemi dhe ne të fokusuar. Tani për tani është e interesuar që të vazhdojë procesi i implementimit të standardeve si kusht i domosdoshëm për hapjen e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës në vitin 2005. Vlerësohet lart nga SHBA-të gadishmëria e lidershipit kosovar për t'u implementuar këto standarde, për të marrë përgjegjësinë për procesin aktual dhe për të ardhmen e vendit, për ndërtimin e një tolerance ndërqytetare e ndëretnike në Kosovë, për angazhimin e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare për mirëqënie më të mirë të qytetarëve, për zhvillimin ekonomik, për vazhdimin e privatizimit, për procesin e kthimit të refugjatëve dhe në veçanti përshëndetet gadishmëria e institucioneve vendore për fillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe natyrisht përshëndetet dhe gadishmëria e institucioneve të Prishtinës për të ndërtuar raporte bashkëpunimi me të gjitha vendet fqinje. Gjithë ky përkushtim i yni, është përkushtim i cili çon dhe bind opinionin ndërkombëtar se institucionet e Kosovës, populli i Kosovës është i vendosur për ndërtimin e rendit demokratik dhe Kosova gradualisht po reflekton paqe, siguri, stabilitet, që është parakusht i domosdoshëm për të njohur edhe ndërkombëtarët vullnetin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat kanë qenë problemet konkrete që ju keni ngritur në takimet në fjalë lidhur me zhvillimet më të fundit në Kosovë?

HASHIM THAÇI
Me gadishmërinë time dhe përkushtimin për të punuar edhe më tepër për realizimin e standardeve, në veçanti kam ngritur dhe çështjen që ne duhet të jemi të përgatitur që Kosova të ketë dhe vizionin e vet për vitin 2005, vizionin për të ardhmen, vizionin për shtetin e pavarur dhe sovran; që do të ndërtojë një shtet qytetar, që punon drejt krijimit të një identiteti shtetëror, ku të sundojë ligji dhe të gjithë qytetarët të kenë të drejta të barabarta. Duhet të jetë shtet shumë etnik, shumë fetar, ku do të respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike. Do t'i kushtojmë rëndësi mbrojtjes dhe sigurisë dhe avansimit të mekanizmave të Kosovës, profesionalizimit të tyre në ndërtimin edhe të shoqërisë moderne demokratike, me një qeverisje funksionale, një shoqëri aktive civile, zhvillim ekonomik të theksuar, mirëqënie për të gjithë qytetarët he natyrisht duke përshëndetur vazhdimisht prezencën e NATO-s edhe në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, derisa ju po zhvilloni vizitën tuaj në Shtetet e Bashkuara, shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë zoti Holkeri, ka bërë të ditur datën e zgjedhjeve dhe sistemin zgjedhor që do të jetë proporcional me lista të mbyllura dhe me një zonë zgjedhore. Cili është reagimi juaj?

HASHIM THAÇI
Ne e përshëndesim vendimin e zotit Holkeri për caktimin e datës së zgjedhjeve, por më vjen keq që sistemi zgjedhor nuk është me lista të hapura. Këtu qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i imi ka qenë që të kemi një sistem me lista të hapura në mënyrë që të gjithë qytetarët të dinë se për kë votojnë dhe të votojnë për vlera e jo të mos dinë se për kë do të votojnë. Kështu që përshëndes vendimin e zotit Holkeri për caktimin e datës së zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë shpreh dhe brengën time sepse është vendosur përsëri të votohet me sistemin me listat e mbyllura, që mendoj se do të ketë reflektime negative tek qytetarët dhe një mesazh jo i mirë tek ndërkombëtarët për Kosovën.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG