Ndërlidhjet

PROTESTA TË SERBËVE NË GRAÇANICË DHE ÇAGLLAVICË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Disa qindra qytetarë të përkatësisë serbe kanë protestuar sot në Çagllavicë dhe në Graçanicë afër Prishtinës, si reagim ndaj sulmit të mbrëmshëm në Llaple Sellë me ç'rast u plagos i riu serb Jovica Iliç, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e pjesës veriore të Mitrovicës jashtë rrezikut për jetën. Burime të ndryshme kanë pohuar se në Graçanicë ka patur përleshje të policisë dhe KFOR-it me protestuesit, mirëpo zëdhënësi i policisë ndërkombëtare në Prishtinë Darek Chappel ka mohuar njoftimet për përleshje të policisë me protestuesit, dhe ka thënë se protestuesit disa herë kanë qëlluar me gurë kundër KFOR-it dhe kalimtarëve të rastit.
"Një turmë e grumbulluar ka qëlluar me gurë një veturë të KFOR-it, ndërsa më pas është ndaluar një veturë tjetër që po vinte në magjistralen e Prishtinës dhe i është vënë flaka", tha zoti Chappel. Ai tha se policia ka rrethuar vendin e protestave dhe protestuesit po mbahen nën kontroll, ndërkohë që ka thënë se nuk mund të konfirmonte informacionet se një shtëpi shqiptare në Graçanicë është rrethuar nga sulmuesit të cilët kanë hedhur gurë duke thyer xhamat. Zoti Chappel tha se protestuesit kanë reaguar në mënyrë tepër emocionale pas sulmit duke lënduar në disa raste edhe kalimtarët që shkonin nëpër Graçanicë.
" Në disa raste të tjera protestuesit kanë sulmuar me gurë disa vetura që shkonin nëpër Graçanicë dhe si rezultat i hedhjes së gurëve disa persona kanë marrë lëndime të lehta", tha zëdhënësi Chappel. Sidoqoftë tha Chappel deri më tani askush nuk është arrestuar lidhur me incidentin e mbrëmshëm ku u plagos i riu serb Jovica Iliç. Ai tha se policia as që ka mundur të fillojë hetimet si duhet.
" Problemi është që ne as që kemi mundur të fillojmë hetimet si duhet pasi gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të shkojmë në vendin e ngjarjes dhe të mbledhim dëshmitë, për të parë se si ka ndodhur sulmi, ndërsa në këtë rast, vendi i krimit është qendra ku po bëhen protestat," tha zëdhënësi i policisë Chappel, duke kërkuar nga serbët lokalë që të punojnë me policinë dhe jo kundër policisë.
Plagosja e të riut serb Jovica Iliç është dënuar nga qeveria e Kosovës, si një akt kriminal që rrezikon jetën e qytetarëve dhe lëvizjen e tyre të lirë.
Duke kërkuar kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të veprave të tilla, qeveria e Kosovës ka vlerësuar gjithashtu se bllokimi i rrugës nga qytetarët serbë nuk është formë demokratike.


XS
SM
MD
LG