Ndërlidhjet

PROTESTA KUNDËR ARRESTIMIT DHE DËNIMIT TË ISH-EPRORËVE TË UÇK-SË


Albana Isufi, Prishtinë

Në 27 qendra të Kosovës shoqatat e dala nga lufta mbajtën sot protesta dyorëshe, duke kundërshtuar arrestimin dhe dënimin e ish- eprorëve të UÇK-së.
Në protestën e mbajtur në Prishtinë, udhëheqësit e këtyre shoqatave thanë se UNMIK-u, por edhe institucionet e Kosovës, janë duke zhvilluar një politikë të gabuar kundër vlerave të ushtrisë çlirimtare. Përfaqësuesi i Shoqatës së Veteranëve të Luftës Faton Klinaku, akuzoi autoritetet e UNMIK-ut për arrestimin e eprorëve të UÇK-së, gjë që sipas tij ka bërë që në popull të rritet skajshëm pakënaqësia.
“Edhe njëherë kërkojmë nga neokolonialisti i ashtuquajtur UNMIK, të rishqyrtojë politikën e vet ndaj Kosovës e posaçërisht ndaj luftës së drejtë që bëri UÇK-ja dhe mos të merret me arrestimet e përgatitura në kuzhinat e atyre që i luftoi UÇK-ja. Përndryshe pakënaqësia e akumuluar në popull dhe te luftëtarët e kanë arritur kulmin dhe do të jetë vështirë të kontrollohen veprimet e mëtejshme, që mund të jenë me pasoja për tërë rajonin”, tha Klinaku.
Ndërkaq, Kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve të Luftës Mustafë Sopi, thotë se me arrestimin e eprorëve të UÇK-së por edhe të pjesëtarëve të TMK-së, goditet edhe TMK-ja.
“Organet e ashtuquajtura qeveritare të Kosovës këto akte i cilësojnë si raste individuale, UNMIK-u me hipokrizi thotë se asgjë nuk ka të bëjë me TMK-në, por harrojnë se deri dje ata djelmosha të nderuar udhëhiqnin zonat e TMK-së”, thotë Sopi.
Anëtari i Këshillit Organizativ të Protestës Sadik Krasniqi, akuzoi UNMIK-un se po punon kundër interesave të popullit shumicë të Kosovës.
“Në fillim sikur menduam se kanë ardhur të na ndihmojnë në bërjen e shtetit tonë, mirëpo koha e dëshmoi që UNMIK-u nuk ishte i tillë, UNMIK-u ishte më afër Serbisë sesa vetë shqiptarëve,” tha Sadik Krasniqi.
Shoqatat e dala nga lufta deri tani kanë organizuar një sërë protestash duke dënuar arrestimet dhe dënimet e eprorëve të UÇK-së.


XS
SM
MD
LG