Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-U SHTON MASAT E SIGURISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Policia e UNMIK-ut i ka shtuar masat e sigurisë në Kosovë, pas incidenteve të fundit të disa shpërthimeve dhe alarmeve rreth vendosjes së mjeteve shpërthyese në pjesë të ndryshme të Kosovës. Sipas zëdhënëses së policisë së UNMIK-ut, Angela Jozef, të gjithë pjesëtarët e policisë ndërkombëtare janë njoftuar me këto masa, dhe në radhë të parë nga ata kërkohet që të shtojnë kujdesin për sigurinë e tyre personale dhe së dyti, kërkohet që të shpeshtohen lëvizjet e tyre përreth ndërtesave, në të cilat është i vendosur stafi i misionit të Kombeve të Bashkuara:
“Ne u kemi rekomanduar policëve që të jenë të kujdeshëm dhe nëse ata vërejnë gjëra të dyshimta përreth ndërtesave të UNMIK-ut, të ndërmarrin masat e domosdoshme dhe të njoftojnë dhe pjesëtarët e KFOR-it që t’u vijnë në ndihmë”, tha Jozef. UNMIK-u, tha ajo, është i vetëdijshëm për përshkallëzimin e situatës së sigurisë pas incidenteve të fundit dhe se këto masa sipas saj, janë më tepër preventive për ndonjë të papritur që mund të ndodhë.
Ndërkohë, njoftohet se disa zyrtarë të lartë vendorë kanë kërkuar nga Policia e UNMIK-ut, që t’i shtojë masat e sigurisë për mbrojtjen e personaliteteve të rëndësishme, përfshirë këtu nga posti i ministrave e deri te presidenti i Kosovës. Lidhur me këto njoftime, zëdhënësja e UNMIK-ut, thotë se zyrtarët kosovarë, kryesisht i kanë të organizuara stafet e tyre të mbrojtjes personale, por sidoqoftë tha ajo, policia do të përgjigjet nësë ata kërkojnë mbrojtje nga kërcënimet e ndryshme:
“Deri më tani, ata nuk kanë kërkuar siguri nga policia, por nëse këtë do ta kërkojnë, ne do t’i analizojmë këto kërkesa dhe nëse do të ketë mundësi, policia do të ofrojë siguri për ta”, thotë Jozef.
Përndryshe, rritja e shkallës së sigurisë nga misioni ndërkombëtar, është vendosur që nga sulmet e vitit të kaluar ndaj misionit të OKB-së në Bagdad. Ndërsa masat më të reja, janë vendosur pas disa kërcënimeve të cilat në Kosovë, sipas policisë vijnë nga persona anonimë.
Duke iu referuar incidenteve të fundit në Kosovë, ditëve të fundit këto kërcënime i kanë quajtur të patolerueshme nënsekretari i Kombeve të Bashkuara Joan Mari Guehenno si dhe komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali, Gregory Johnson, gjatë vizitave që i bënë Kosovës.




XS
SM
MD
LG