Ndërlidhjet

logo-print

A ISHTE HUMBJA E AZNARIT FITORE E TERRORISTËVE?


KATHLEEN KNOX

Shpërthimet që ndodhën javën e kaluar në Madrid shihen si faktori kryesor për rrëzimin e ish kryeministrit Jose Maria Aznar, aleatit të fortë të presidentit të Shteteve të Bashkuara George Bush.
A ishte kjo fitore e terroristëve, të cilët me taktikën e tyre vdekjeprurëse, me sukses ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve?
A mund të përsëritet kjo strategji edhe në vendet tjera?
Para një jave, Partia Popullore e djathë e Spanjës dukej sikur sërish do t'i fitojë zgjedhjet.
Por, të mërkurën, katër shpërthime nëpër trenat e Madridit vranë 200 njerëz. Autoritetet tani dyshojnë se ato ishin vepër e militantëve islamikë, si ndëshkim për qeverinë e Spanjës për mbështetjen që ajo i dha politikës së presidentit George Bush, e veçanërisht për luftën në Irak.
Tre ditë më vonë, votuesit e shkelmuan Partinë Popullore dhe fitoren ia dhanë Socialistëve. Lideri i tyre Jose Luis Rodriguez Zapatero menjëherë e ripërsëriti premtimin parazgjedhor se do t'i kthejë trupat spanjole nga Iraku.
"Nëse nuk ka ndryshime që Kombet e Bashkuara ta marrin në dorë gjendjen në Irak, dhe nëse pushtuesit heqin dorë nga kontrolli politik, afati i fundit për tërheqjen do të jetë 30 Qershori", tha Zapatero.
E gjithë kjo bëri që vëzhguesit të arrijnë në një përfundim dëshpërues: se terroristët mund t'i përdorin bombat për t'i arritur qëllimet politike, dhe madje të ndikojnë në zgjedhjet demokratike.
"Kjo është një rrjetë dinake, e cila përpiqet të realizojë ndikime politike dhe strategjike", thotë Paul Wilkinson, drejtues i Qendrës për Studimet e Terrorizmit dhe Dhunës Politike në Saint Andrews, Skotlandë.
"Nuk jam i sigurtë që ata do ta kenë ditur se në ç'mënyrë do të reagonte qeveria. Por ata ishin në gjendje të llogarisin se opinioni do të shqetësohej nga mundësia e sulmeve të reja nëse qeveria spanjole nuk do ta ndryshonte politikën.Qëllimi ishte të shkaktohen ndryshime në politikën ndaj Irakut, dhe për këtë, duhet të pranoni se ata i sollën këto ndryshime", thotë Wilkinson.
Ai më tej shton se kjo nuk është hera e parë kur sulmet terroriste e kanë arritur qëllimin e dëshiruar. Sulmet vetëvrasëse të palestinezëve në Izrael në mesin e viteve të 90-ta e minuan marrëveshjen e Oslos, ndërsa në 1983, sulmi vetëvrasës ndaj marincave amerikanë në Liban kontribuoi në tërheqjen e forcave shumëkombëshe paqësore.
"Nuk duhet rënë në kurthë, duke besuar se terrorizmi s'mund të ketë ndikim të madh. Këta terroristë i studjojnë mënyrat për të shkaktuar dëme maksimale. Qeveritë janë të vetëdijshme se kjo sinjalizon që në lojë është Al-Kaida, prandaj duhet rritur në maksimum bashkëpunimin kundër saj", thotë Wilkinson.
Një analizë tjetër thotë se kjo nuk ishta shpagim për Irakun, por më tepër, një zemërim i opinionit për shkak se qeveria fillimisht këmbëngulte se sulmi ishte vepër e grupit separatist bask ETA.
Megjithate, ideja se terroristët mund të kenë ndikuar në këto zgjedhje, e ka përhapur drojen se ata mund të godasin përsëri, dhe se strategjia mund të përsëritet edhe gjetkë.
Në Nëntor mbahen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kurse më pas vijojnë zgjedhjet në Britani.
Helen Wallace është eksperte e Politikës Evropiane në Institutin Evropian në Firencë.
"Mendoj se në shumë vende evropiane, përfshirë Britaninë, jemi mësuar me incidentet terroriste të çfarëdo lloji. Për ne nuk është gjë e re, por ajo që ndodhi në Madrid ishte në shkallë të paparë, ishte e tmerrshme", thotë Wallace.
XS
SM
MD
LG