Ndërlidhjet

HOLKERI: DHUNA ËSHTË MESAZHI MË I KEQ PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Komandanti i krahut Jugor të NATO-s ka lejuar dislokimin në Kosovë të forcave strategjike rezervë të NATO-s për t’u përballur me situatën në Kosovë, ka bërë të ditur sot në Prishtinë komandanti i forcës paqëruajtëse të NATO-s, gjenerali Holger Kammerhoff, duke njoftuar se NATO-ja dhe KFOR-i ishin të vendosur të mbrojnë ushtarët dhe qytetarët e Kosovës nga dhuna që ka shpërthyer. Këto njoftime gjenerali Kammerhoff i ka bërë në një konferencë shtypi bashkë me kryeadministratorin Harri Holkeri, i cili ua ka tërhequr vërejtjen liderëve të Kosovës që të jenë të kujdesshëm me deklaratat e tyre publike.
Komandanti i KFOR-it Kammerhoff ka thënë se KFOR-i është i vendosur për të mbrojtur vetveten nga sulmet e protestuesve të dhunshëm dhe të rivendosë rendin:
"Mund të them se komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Gregory Johnson ka lejuar vendosjen e trupave rezervë të NATO-s në Kosovë," tha gjenerali Kammerhoff, ndërkohë që burime të KFOR-it thonë se bëhet fjalë për 350 ushtarë të forcave strategjike rezervë që arrijnë në Kosovë.
Në anën tjetër, kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri tha se dje Kosova e ka parë dhunën më të keqe të mundshme që nga ardhja e UNMIK-ut dhe KFOR-it këtu, pesë vjet më parë:
"Dhuna ishte mesazhi më i keq i mundshëm që Kosova ka mundur t’ia dërgojë bashkësisë ndërkombëtare. E gjithë bota po shikon se si populli i Kosovës po sillet ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare që pesë vjet më parë ndërhyri për t’i dhënë fund dhunës," tha zoti Holkeri, duke bërë të ditur se deri sot në mëngjes 22 persona kanë humbur jetën, 500 janë plagosur, përfshirë edhe 61 ushtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të policisë.
Kjo dhunë po e shkatërron të ardhmen e Kosovës dhe për sa ditë që kjo dhunë do të vazhdojë, Kosova do të humbë miqtë e saj të çmueshëm, tha Holkeri, duke kritikuar disa media dhe disa liderë për deklaratat nxitëse:
"Ata politikanë që përkrahin ose arsyetojnë dhunën e djeshme kanë demonstruar papërgjegjësi dhe gjykimet më të këqija të mundshme," tha Holkeri, sipas të cilit nxitja nga disa media është krejt e papranueshme. Ai tha se sot mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurimit ku do të shqyrtohet situata në Kosovë dhe kërkoi nga liderët të jenë të përgjegjshëm:
"Deklaratat e lëshuara nga liderët politikë që nga sot do të shënohen me kujdes. Për ju që mendoni se bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë, mendoni se ku keni qenë pesë vjet më parë," tha Holkeri.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali Kammerhoff tha se të gjithë qytetarëve të Kosovës, por kryesisht mijëra shqiptarëve që sulmojnë ushtarët e KFOR-it, policët e UNMIK-ut, shtëpitë serbe dhe kishat orthodokse serbe, dua t’ua përkujtoj gadishmërinë e KFOR-it për aksion të rreptë:
"Unë u kam dhënë komandantëve të BSHK-ve kompetencat për të përdorur forcën e nevojshme proporcionale për të garantuar sigurinë e ushtarëve të KFOR-it për të mbrojtur njerëzit e pafajshëm të Kosovës dhe për të rivendosur lëvizjen e lirë të të gjithëve në Kosovë," tha gjenerali Kammerhoff.
Gjatë natës së mbrëmshme dhe sot në disa qytete të Kosovës policia dhe KFOR-i kanë vendosur orë policore gjatë orëve të natës, ndërsa në zonën e mirëbesimit në Mitrovicë, ora policore do të jetë në fuqi 24 orë në ditë.
XS
SM
MD
LG