Ndërlidhjet

WHYTE: PROTESTAT JANË PASOJË E FRUSTRIMIT TË PËRGJITHSHËM


Nicholas Whyte, shef i Zyrës për Ballkanin pranë GNK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, ku i shihni rrënjët e përleshjeve të djeshme në Kosovë?

NICHOLAS WHYTE
Rrënjët e përleshjeve të djeshme vijnë nga pakënaqësia me shpejtësinë e zhvillimit të Kosovës, dhe atë në kuptimin që UNMIK-u vërtetë nuk ka qenë i aftë t'i parandalojë zhvillimet e institucioneve paralele në mesin e serbëve, por gjithashtu edhe nga një frustrim i përgjithshëm me situatën politike, me grindjet e vazhdueshme të institucioneve të zgjedhura vendore dhe atyre të Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu duhet ta kemi parasysh, dhe është shumë e rëndësishme të vërehet se kjo ishte dita e parë e pranverës. Të gjitha problemet në Ballkan përkeqësohen në këtë stinë të vitit. Nëse e shihni konfliktin në Maqedoni në 2001, nëse e shihni fillimin e luftës në Bosnje në 1992, nëse e shihni shpërthimin e dhunës në Kosovë në 1998, gjithë këto ndodhën në periudhën mars-prill. Duhet patur parasysh se edhe moti këtu është faktor.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në procesin politik në të ardhmen, përkitazi me rishikimin e standardeve ndërkombëtare në mesin e 2005?

NICHOLAS WHYTE
Po, mendoj se tani do të jetë shumë më vështirë. Kjo sigurisht do ta rritë angazhimin e nevojshëm që do të duhet ta bëjnë shqiptarët e Kosovës, për ta siguruar bashkësinë ndërkombëtare se ata janë të gatshëm t'i plotësojnë këto standarde, dhe t'ju tregojnë ndërkombëtarëve, t'i bindin ata se janë të gatshëm ta bëjnë Kosovën një vend ku do të respektohen të drejtat e pakicave.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, a shihni ndonjë lidhje mes këtyre zhvillimeve dhe ndryshimeve të fundit politike në Beograd?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se në njëfarë mënyre gjithçka është e lidhur, por më duhet të them se jam i befasuar nga fakti se përgjigja nga Beogradi ka qenë relativisht e kufizuar, të paktën nga Beogradi zyrtar. Në të njëjtën kohë ka patur sulme të mjera në objektet fetare myslimane në Serbi. Por nga ana zyrtare, kemi parë përgjigje diplomatike e jo ushtarake. Kjo për mua sinjalizon se Beogradi nuk do ta injorojë këtë, por do ta shfrytëzojë për avantazhet e veta. Nuk shoh diçka tjetër pas kësaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, çfarë është komenti juaj mbi rolin e administratës ndërkombëtare për krijimin e sigurisë për gjithë kosovarët në tërë territorin e Kosovës?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se UNMIK-u tani është vënë në pozitë të dëshmojë se është i aftë të vendosë ligjin dhe rendin. Por, më e rëndësishmja është se është koha e fundit që UNMIK-u të mund tregojë se është në gjendje të krijojë sigurinë në Kosovë.

Intervistoi Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG