Ndërlidhjet

APEL PËR QETËSI POR EDHE PËR ZGJIDHJE TË STATUSIT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës përmes grupeve më të mëdha parlamentare u ka bërë thirrje sot edhe njëherë qytetarëve që të ndërpresin protestat dhe t'u japin hapësirë institucioneve dhe organeve të tjera kompetente për qetësimin e gjendjes dhe menaxhimin e krizës. Njëheri kuvendi u ka bërë thirrje publike shefit të administratës së UNMIK-ut Harri Holkeri dhe komandantit të KFOR-it gjeneralit Holger Kammerhoff, që t'i drejtohen kuvendit në lidhje me situatën e krijuar.
Shefat e tre grupeve më të mëdha parlamentare përveç thirrjeve për uljen e tensioneve, megjithatë kanë shtuar se gjendja e krijuar në Kosovë është rezultat i defekteve të politikës së UNMIK-ut dhe të institucioneve vendore. Kurse përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se vazhdimi i protestave të dhunshme mund të ketë pasoja të paparashikueshme për Kosovën. Sabri Hamiti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, tha se ka shumë arsye që kanë sjellë një gjendje të tillë, duke filluar nga joefikasiteti i administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore, e deri tek mungesa e një vizioni të qartë për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
" Vetëm se është vërtetuar se ky vend i kaluar nëpër përgjakje, ky vend i kaluar nëpër viktimizime, së paku nuk ka zgjidhje tjetër përveç pavarësimit. Nuk do të ketë zgjidhje demokratike. Po vërtetohet në Kosovë qoftë me këto lëvizje, derisa të pavarësohet."
Ndërkohë shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Arsim Bajrami, tha se revolta e qytetarëve është pasojë e akumulim i një politike joefikase dhe pasojë e tolerimit të strukturave paralele.
"Ka ardhur koha që institucionet e Kosovës tani të hapin një debat shumë të qartë me UNMIK-un dhe të redifinojnë pozicionet. Mendoj se tani kemi dy zgjidhje të mundshme në raport me komunikimin dhe partneritetin që duhet ta ruajmë me UNMIK-un, e para të kërkojmë nga UNMIK-u që menjëherë pas tyre të sigurojë integritetin territorial të Kosovës dhe lëvizjen e lirë të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe alternativa e dytë që UNMIK-u në mënyrë të pashtyeshme të fillojë bartjen e të gjitha përgjegjësive tek institucionet e Kosovës."
Gjendja e krijuar është refleksion dhe kundërshtim i status quo-s në Kosovë ka thënë Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. Ai kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që të kryejë obligimin e vet si tha ai dhe zotimin që ka marrë para qytetarëve të Kosovës për shpalljen e pavarësisë.
"Mendimi im është se në Kosovë ka ndodhur një revoltë qytetare kundër status quo-s. Kjo revoltë qytetare kundër status quo-s, mendoj se si e tillë kërkon një përgjigje nga ne. Mendoj se janë 2 çështje themelore. E para është raporti ynë ndaj mandatit që kemi marrë, a mundemi ne të kryejmë punët tona dhe obligimet tona që i kemi? A mundet sot Parlamenti i Kosovës t'i premtojë popullit krahas thirrjes për qetësim shkoni nëpër shtëpitë tuaja, a mundemi ne t'u japim një premtim se do i kryejmë obligimet tona?"
Në anën tjetër profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Hasani, zhvillimet e fundit dhe eskalimin e tyre në dhunë ndëretnike, e parasheh me pasoja të rënda për Kosovën.
" Unë mendoj se këtu ka dy degëzime potenciale. Degëzimi i parë potencial mund të shkojë drejt legalizimit të enklavave, me kuptim një farë kantonizimi të Kosovës. Mendoj se me këto çfarë ka ndodhur këto dy tre ditë, është krijuar një pretekst i mjaftueshëm për qarqe të caktuara ndërkombëtare për të përligjur idenë e kantonizimit. Dhe degëzimi i dytë që unë i kam frikën dhe më shumë se kaq është që mund të nxjerrë situatën tërësisht jashtë kontrollit dhe ta bëjë këtë vend të paqeverisshëm."


XS
SM
MD
LG