Ndërlidhjet

logo-print

JOHNSON SHPREH KEQARDHJE PËR DHUNËN NDAJ KFOR-IT DHE NDËRKOMBËTARËVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dhuna që ka shpërthyer dje dhe sot në Kosovë përbën një njollë të zezë, jo vetëm për historinë, por edhe për të ardhmen e Kosovës, ka deklaruar sot në Prishtinë, komandanti i krahut jugor të NATO-s admirali amerikan Gregory Johnson, i cili ka marrë pjesë në një takim të përbashkët të krerëve të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, liderëve të partive politike dhe shefave të zyrave diplomatike perëndimore në Prishtinë. Ky takim ka rezultuar me një deklaratë të përbashkët, të cilën e ka lexuar në praninë e pjesëmarrësve, shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri:
"Nuk ka arsyetim për dhunën dhe ajo duhet ndërprerë menjëherë. Ata që janë të angazhuar në këtë dhunë, po e tradhtojnë gjithë popullin e Kosovës," tha Harri Holkeri, duke e lexuar deklaratën e përbashkët, e cila në vazhdim thotë se progresi i arritur gjatë viteve të fundit, është rrezikuar e më këtë është rrezikuar edhe prospekti për një të ardhme më të mirë, ndërsa tash është koha për qetësi.
Ndërkaq, komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Gregory Johnson, konfirmoi se në Kosovë ka filluar ardhja e trupave nga forcat strategjike rezervë të NATO-s me qëllim të rivendosjes së rendit.
"Ne do të ndërmarrim masat e duhura për t’u mbrojtur dhe për ta përmbushur misionin tonë. Tre kompani nga forcat strategjike rezervë kanë arritur dhe po arrijnë sot në Kosovë, ndërsa më shumë trupa do të vijnë në ditët e ardhshme," tha admirali Johnson, duke e vlerësuar situatën shumë të rrezikshme:
"Ne kemi punuar këtu pesë vjet dhe më prek shumë kur shoh se miqtë më të mirë që ka pasur ndonjëherë secili qytetar i Kosovës, domethënë trupat e NATO-s, UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare, të sulmohen, më duhet të them se kjo duhet të ndërpritet menjëherë," tha admirali Johnson, duke e vlerësuar këtë situatë një hap mbrapa, në kohën kur Kosova duhet të përmbushë standardet që janë rruga e vetme drejt mirëqenies, ndërkohë që rruga tjetër çon kah dëshpërimi dhe varfëria. Sulmet kundër KFOR-it dhe kundër policisë i ka dënuar ashpër edhe kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, ashtu si edhe liderët e tjerë të Kosovës:
"Shprehim keqardhjen tonë të madhe për lëndimin e policisë ndërkombëtare dhe ushtarëve të KFOR-it. Siç e dini, këto forca kanë qenë dhe janë të respektuara, por grupet dhe individët që janë paraqitur në këto protesta kanë bërë atë që nuk e do populli i Kosovës," tha kryetari Rugova duke u shprehur ngushëllime familjeve të të vrarëve në ngjarjet e fundit.
Më pas, të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe liderët politikë kanë ftuar qytetarët e Kosovës që t’u japin fund protestave dhe dhunës dhe t’u krijojnë hapësirë institucioneve për zgjidhjen e problemeve. Ata kanë thënë se masat ushtarake dhe policore nuk janë të mjaftueshme, nëse ato nuk përcillen edhe me veprime të tjera:
"Për momentin duhet t’i koncentrojmë të gjitha fuqitë e përbashkëta që së pari të qetësohet gjendja, të vendoset rendi dhe më pas duhet të bëhen analiza të thukta", tha kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, ndërsa kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci kërkoi ndërprerje të menjëhershme të dhunës, në mënyrë që në qetësi të shqyrtohen edhe raportet me UNMIK-un:
"Unë mendoj se në radhë të parë duhet që gjendja plotësisht të sillet në normale, do të thotë menjëherë të ndërpriten sjelljet e pahijshme ndaj KFOR-it dhe ndaj forcave të rendit".
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se pavarësisht nga motivet, kjo dhunë po i dëmton proceset pozitive në Kosovë:
"E para punë që duhet bërë në Kosovë është të ndalet ajo që po ndodh, një protestë me dhunë në Kosovë. Mendimi im është se nuk ka dhunë dhe motiv për dhunë kundër KFOR-it dhe forcave të rendit, është revoltë qytetare kundër status-quos," tha Haradinaj duke vlerësuar se dhuna e këtillë duhet të ndalet pasi po e dëmton Kosovën dhe rrjedhat
Më vonë zoti Holkeri ka pasur edhe një takim me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi i cili pasi dje ka ndërprerë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sonte në mbrëmje është kthyer në Kosovë.

XS
SM
MD
LG