Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI I KOSOVËS DHE DISA MINISTRA SHPËRNDAJNË PROTESTUESIT NË VETERNIK


Albana Isufi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi dhe disa nga ministrat e qeverisë kanë shpërndarë sonte protestuesit e mbledhur në Veternik, afër Çagllavicës, të cilët gjatë tërë ditës kanë tentuar që t’i thyejnë barrikadat e ngritura nga ana e KFOR-it dhe të lirojnë rrugën magjistrale Prishtinë-Shkup. Kryeministri Bajram Rexhepi u ka thënë protestuesve se ai së bashku me ministrat do të angazhohen maksimalisht, që magjistralja e bllokuar të lirohet sa më shpejt.
“Kërkuam mirëkuptim dhe na dëgjuan kësaj radhe, por edhe na premtuan se do të bëjnë çmos, që deri nesër rruga të zhbllokohet. Nëse nuk ndodh kjo atëherë do të vijmë dhe do t’u themi së më nuk mund të premtojnë,” tha Rexhepi.
Ministri i Shërbimeve Publike Jakup Krasniqi, u tha qytetarëve të mbledhur se është në interes të Kosovës që të ruhet qetësia dhe rendi.
“Kërkuam që të tërhiqen se është në interes të Kosovës, që të ndërpritet kjo protestë dhe t’u jepet kohë institucionve që ta kryejnë punën e vet”, tha Krasniqi.
Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Ethem Çeku, tha se institucionet kosovare do të jenë në gjendje që ta stabilizojne gjendjen e krijuar në Kosovë, pas trazirave që ndodhën në Mitrovicë.
“Unë do t’i bashkangjitem dhe do të jem i gatshëm që t’i mbroj interesat e qytetarëve dhe ta stabilizojmë gjendjen në Kosovë dhe jemi të bindur se institucionet e Kosovës bashkë me ne do të jenë në gjendje të kthehet jeta normale”, tha Çeku.
Protestuesit i janë bindur kërkesave të kryeministrit dhe të qeverisë dhe janë shpërndarë në drejtim të Prishtinës. Mirëpo, një pjesë e vogël e tyre ka vazhduar rrugën drejt selisë kryesore të UNMIK-ut në Prishtinë, e cila sigurohej nga forca të shumta të policisë dhe të pjesëtarëve të KFOR-it. Kanë qenë pjesëtarët e SHPK-së ata që e kanë bindur këtë masë që të shpërndahet.
Të njëjtit protestues gjatë ditës së sotme janë përleshur me forcat e rendit në Veternik, ndërkohë që raportohet për disa të lënduar që kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare.
Forca të mëdha ushtarake dhe policore kanë ngritur në orët e hershme të mëngjesit barrikada në dalje të Prishtinës, duke bllokuar kështu qarkullimin e automjeteve në magjistralen Prishtinë – Shkup. Magjistralja Prishtinë –Shkup ka qenë e bllokuar tre ditët e kaluara nga serbët lokalë, të cilët shprehnin revoltën për plagosjen e një të riu serb. Protestuesit shqiptarë kanë tentuar edhe dje që të thyejnë barrikadat serbe. Në përleshjet e djeshme në Çagllavicë u vranë 3 persona dhe shumë të tjerë u lënduan.

XS
SM
MD
LG