Ndërlidhjet

KS I OKB VLERËSIM OBJEKTIV TË SITUATËS NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Këshilli i Sigurimit ka ofruar një qasje tejet objektive, të balancuar konform situatës aktuale, thonë udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Sipas krytarit të Kuvendit, Nexhat Daci, Këshilli i Sigurimit në masën më të madhe ka dashur ta ndihmojë Kosovën në tejkalimin e gjendjes aktuale dhe në vazhdimin e proceseve demokratike:
“Në parim mendoj se ishte një qasje e balancuar konform situatës dhe në përgjithësi pjesa më e madhe mëtonte ta ndihmojë Kosovën dhe proceset demokratike. Pas kohës së qetësimit të situatës ka shumë për t’u ndryshuar në përgjegjësitë edhe të institucioneve tona, në veçanti të Qeverisë dhe Parlamentit, por edhe të Misionit, në pjesën civile dhe në veçanti në pjesën ekonomike”, tha kryeparlamentari Daci.
Kurse, zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Muhamet Hamiti, thotë se qëndrimi si edhe mesazhet e Këshillit të Sigurimit ishin të njëjtat me ato që vijnë nga bota demokratike për ndërprerjen e dhunës në Kosovë:
“Mesazhi nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por edhe i përfaqësuesve të tjerë të lartë nga Evropa e SHBA-të, është që menjëherë të ndalet dhuna, të kthehet rendi e ligji për të gjithë në Kosovë. Mendoj se edhe prijësit e Kosovës dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare këtu, kanë këto kërkesa të menjëhershme”, tha Hamiti.
Një vlerësim të shkurtër për qëndrimet e fundit të Këshillit të Sigurimit, e ka bërë dhe qeveria e Kosovës, pas një takimi jozyrtar të kryeministrit me disa nga ministrat. Zëdhënësja e kryeministrit, Mimoza Kusari, tha se qeveria pas këtij shqyrtimi vlerësoi se Këshilli i Sigurimit, kishte një qëndrim tejet objektiv ndaj Kosovës:
“Takimi i djeshëm i Këshillit të Sigurimit dhe raportet e përfaqësuesve të vendeve në Këshillin e Sigurimit ishin mjaft objektive, natyrisht me përjashtim të Unionit Serbi e Mali i Zi dhe përfaqësuesit të Rusisë. Kurse kërkesa e tyre që liderët të jenë atje me protestuesit dhe të bisedojnë, vetëm ishte realizuar pasi kryeministri me disa nga ministrat kanë shkuar dhe kanë biseduar me protestuesit në Çagllavicë dhe me premtimin e kryeministrit se rruga do të lirohet, ata janë kthyer për në Prishtinë”, tha Kusari.
Aktetet e dhunshme, vlerësojnë përfaqësuesit vendorë, e dëmtojnë rëndë përparimin e bërë në Kosovë, përderisa kryeparlamentari Daci, thotë se çdo akt i dhunshëm kundër pranisë ndërkombëtare, mund të ketë pasoja të paparashikueshme për Kosovën:
“Në veçanti sulmet e lokalizuara individuale ndaj NATO-s, mikut më të madh në historinë e popullit të Kosovës, janë krejtësisht të papranueshme dhe të gjithë liderët dhe udhëheqësit politikë dhe partiakë me shumë seriozitet e kemi gjykuar. Prandaj vlerësoj që Këshilli i Sigurimit është munduar që në fakt ta mbajë situatën nën kontroll, të na ndihmojë në një mënyrë".
Ndërkohë, mobilizimi i institucioneve dhe i liderëve vendorë për ndërprerjen e akteve të dhunshme në Kosovë, ka vazhduar edhe mbrëmë, në disa takime të mbyllura. Kryeministri Rexhepi, bisedoi me udhëheqësit e Unionit të Studentëve, nga të cilët kërkoi që të përmbahen nga protestat në këtë situatë të krijuar. Po me këtë qëllim, janë zhvilluar dhe disa takime të tjera me dyer të mbyllura mes subjekteve e shoqatave të ndryshme. Ndërsa thirrjeve për ndërprerjen e protestave, u janë bashkuar sot dhe tre shoqatat e dala nga lufta, të cilat krahas këtyre apeleve, kritikuan UNMIK-un dhe institucionet vendore për politikën e tyre ndaj Kosovës dhe kërkuan që kjo politikë të ndryshojë. Gjithashtu, në funksion të normalizimit të gjendjes, edhe Ministri i Arsimit Rexhep Osmani, ka kërkuar që shkollat të rifillojnë me mësimin, dhe u ka bërë thirrje prindërve e mësimdhënësve që t’i drejtojnë fëmijët drejt shkollave dhe të mos lejojnë që ata të dalin nëpër rrugë.



XS
SM
MD
LG