Ndërlidhjet

EKSTREMIZMAT USHQEJNË NJËRI TJETRIN


Milazim Krasniqi, Prishtinë

Shpërthimi i protestave të dhunshme në Kosovë, që mori përmasa përtej parashikimeve edhe më orguzeza, nxorri në pah potencialet e kulturës së dhunës që janë akumuluar dhe janë konservuar nëpër kohë. Pa analizën e këtij potenciali është e pamundur të kuptohet arsyeja e shpërthimit të dhunës, sepse rasti i tragjedisë së fëmijëve në fshatin Çabër, sado tragjik që është në vetvete, nuk mund të jetë pikënisje për të kuptuar ndodhitë që pasuan. As shkaqet e tjera, që eventualisht kanë të bëjnë me pakënaqësitë me aspekte të caktuara të administrimit të Kosovës, nuk mund të jenë një pikënisje për ta kuptuar atë që ndodhi këto ditë në Kosovë, e që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan e quajti të turpshme dhe të pafalshme. Kultura e dhunës dhe potencialet enorme të saj janë konservuar në të dy komunitetet, në atë shqiptar dhe atë serb, pas ndërprerjes së armiqësive të armatosura nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s. Kjo më së qarti shihet në ndarjen e qytetit të Mitrovicës, i cili ka shërbyer në këto pesë vjet, si testim i nervave dhe i potencialeve të dhunës të të dyja palëve. Mosintegrimi i qytetit nga ana e administratës civile ndërkombëtare, moskrijimi i kushteve për lëvizje të lirë të qytetarëve serbë të Kosovës dhe moskrijimi i kushteve për kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e veta në të dy anët e qytetit të Mitrovicës dhe në mbarë Kosovën, i ka shërbyer motivimit të dhunës dhe paketimit të saj si atdhetarizëm, edhe në kushtet kur ai minon të tashmen dhe paraqet rrezik serioz për të ardhmen e Kosovës. Çdo analizë dhe vlerësim që do të bëhet për dhunën e ditëve të fundit në Kosovë nga të gjitha instancat politike dhe diplomatike, duhet të niset nga kjo pikë; pra ndërprerja e armiqësive nuk është shoqëruar edhe me një pako të mirëfilltë të masave që do të zvogëlonin motivet dhe arsyetimet për dhunë ndëretnike. Pasojat që shkaktoi vala e re e dhunës ndëretnike në Kosovë si dhe konfrontimi me strukturat e prezencës ndërkombëtare, mbetet të shihet në ditët që vijnë. Por ajo që tashmë është një qëndrim konsensual i të gjitha strukturave të bashkësisë ndërkombëtare, që nga Këshilli i Sigurimit dhe Bashkimi Evropian dhe i udhëheqësve vendorë, dëshmon se pasojat do të jenë të rënda për Kosovën dhe qytetarët e saj. Nxirrja e imazhit të Kosovës dhe ngecja në përmbushjen e standardeve, mund të rezultojë me ngecje edhe më të madhe në zhvillim, me izolim edhe më të madh, me shtyrjen e afateve për hapjen e bisedimeve për statusin final dhe me humbjen e besimit në rolin stabilizues të Kosovës në rajon. Sidoqoftë në këto momente, prioritet të gjithëve, si instancave të pushtetit, si edhe i qytetarëve të Kosovës, është ndërprerja urgjente e dhunës dhe kthimi i qetësisë së plotë në vend. Apelet që bënë dhe që po bëhen në këtë drejtim nga të gjithë vërtetojnë se përkushtimi i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën ka mbetur i pandryshueshëm. Kjo u konfirmua edhe në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në gadishmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe për të ofruar kontigjente shtesë të ushtarëve për sigurinë e Kosovës. Kjo do të duhej të shfrytëzohej si favor që të eleminohen pasojat e rënda që janë shkaktuar tashmë. Por në themel të përpjekjeve të tashme dhe të ardhshme duhet të mbetet eleminimi i motivit dhe i potencialeve të dhunës ndëretnike, që nga eleminimi i strukturave paralele në veri të Kosovës e deri tek grupet e dhunshme shqipare. Për të satën herë u vërtetua se esktremizmat e ushqejnë njeri tjetrin dhe zgjidhja nuk është vetëm lufta kundër njëri tjetrit, por kundër të gjithë ekstremizmave njëkohësisht.

XS
SM
MD
LG