Ndërlidhjet

2000 TRUPA SHTESË TË KFOR-IT NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Zyrtarët e KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut theksuan sot se situata në Kosovë, pas trazirave të ditëve të fundit është në përgjithësi më e qetë dhe më stabile, ndërkohë që edhe sot kanë vazhduar të arrijnë trupat shtesë të NATO-së në Kosovë. Përmes Aeroportit të Prishtinës, Shkupit dhe atij ushtarak të Gjakovës, kanë arritur disa qindra trupa nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia.
Zëdhënësi i KFOR-it Jim Moran thotë se për shpërndarjen e 2000 trupave shtesë do të vendosë komandanti i KFOR-it.
“Komandanti i KFOR-it do të vendosë se ku do të shkojnë dhe kjo varet nga ndryshimi i situatës, varësisht se ku do të duhen ata," tha Jim Moran, duke shtuar se këto trupa do të shtojnë sigurinë në Kosovë.
“Unë mendoj se me forcat shtesë që po i sjellim këtu, me masat e sigurisë që janë ndërmarrë, me patrullimet që po bëjmë dhe me strukturën e forcës që është, mendoj se më nuk do të ketë probleme," tha zëdhënësi i KFOR-it Jim Moran në një konferencë për gazetarë.
Kurse, zëdhënësja e UNMIK-ut Izabella Karllovic thotë se prioritet i UNMIK-u tani për tani është rivënia e rregullit, e rendit dhe e ligjit si dhe pajtimi, që sipas saj është detyrë e të gjithëve veçanërisht e institucioneve vendëse.
Lidhur me deklaratat e disa analistëve se moszgjidhja e statusit, por edhe ekzistimi i strukturave paralele ka shkaktuar trazirat e ditëve të fundit, Karllovic thotë se asgjë nuk mund ta justifikojë dhunën.
“Shtrohet pyetja se për se çfarë lloj statusi flasin ata njerëz, për statusin ku njerëzit djegin shkollat, shtëpitë, kur i sulmojnë paqeruajtësit. Mendoj se për këtë duhet pyetur ata që bëjnë këso deklarata,” tha Karllovic.
Ndërkohë, policia e UNMIK-ut ende nuk ka filluar hetimet lidhur me mbytjen e tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, rast ky që edhe nxiti protestat dhe trazirat. Zëdhënësi i KFOR-it Jim Moran tha se KFOR-i është i përgatitur që të sigurojë ambjentin gjatë varrimit të dy fëmijëve që do të bëhet nesër në fshatin Çabër të Zubin Potokut.
Nga ana tjetër ushtarët e KFOR-it i kanë dorëzuar sot autoriteteve të policisë një serb, pas një incidenti që ky i fundit kishte me ushtarët në kampin Slim Lines, në të cilin ishte i strehuar së bashku me mbi 200 bashkëkombas të tij. Zëdhënësi i Brigadës Shumëkombëshe të Qendrës Peter Appleby, thotë se pas këtij incidenti personi, identitetin i të cilit nuk e ka bërë të ditur është larguar nga kampi.
Appelby thotë se serbët e strehuar në këtë kamp pas trazirave të ditëve të fundit në rrethinën e Obiliqit, tashmë kanë filluar të largohen.
“Ka lëvizje dhe të strehuarit po shkojnë drejt Graçanicës, por askush nuk do të transportohet drejt portës numër tre apo në veri të Mitrovicës, kjo nuk është politika jonë,” tha Peter Appleby.
Ndërkohë, shefja e Zyrës për Kthimin në UNMIK Peggy Higs në një konferencë për gazetarë tha se pas trazirave të ditëve të fundit brenda për brenda Kosovës janë zhvendosur rreth 3600 persona, por ajo thotë se kjo shifër mund të mos jetë e saktë.
“Situata që është zhvilluar ka krijuar një nevojë të ndihmës substanciale humanitare, dhe kjo ndihmë nevojitet për dy lloje të të zhvendosurish, për të zhvendosurit e rinj, por edhe për ata që kanë qenë të zhvendosur edhe më herët në Kosovë,” tha Higs.



XS
SM
MD
LG