Ndërlidhjet

logo-print

BRENGOSJE PËR ARDHMËRINË


Bekim Bislimi

Sipas të dhënave të Qendrës Koordinuese në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës gjenden 190 persona me përkatësi etnike serbe të zhvendosur nga fshatrat Gojbulë edhe Svinjare, përkatësisht Frashër të komunës së Vushtrisë. Në një shtëpi përkatësisht në dy dhomat e saj, janë të strehuar fëmijët e fshatit Gojbulë dhe ndërkohë që meshkujt kanë mbetur në fshat. Jelena Periç nga fshati Gojbulë, e cila ishte zhvendosur nga shtëpia me tre fëmijët e saj, thotë se dëshiron dhe kanë nevojë që të kthehen në shtëpinë e tyre.
"Ne do të ktheheshim në shtëpi nëse do të mund të jetonim aty. Nëse nuk do të ketë sulme, ne do të dëshironim të mbesnim në shtëpitë tona. Fëmijët janë shumë të frikësuar dhe po dridhen," tha zonja Periç, duke shtuar se fëmijët më të rritur që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve të fundit ende janë të frikësuar. Ndërkaq një fëmijë, Sllobodan Tanaskoviç, thotë se ishte i dëshpëruar për shkak se ishte i detyruar që të largohej nga shtëpia e tij në fshatin Gojbulë.
"Jam shumë i dëshpëruar sepse në fshatin tim kanë mbetur babai, axha dhe shumë të afërm. Më erdhi shumë keq kur u largova nga fshati dhe u ndjeva shumë i dëshpëruar", tha Sllobodani, duke shtuar se shpresonte që të kthehej në shtëpi sa më parë. Ngjashëm pohonin edhe fëmijët e tjerë të fshatit Gojbulë, ndërkohë që gratë ankoheshin se ambjenti ku ishin akomoduar ishte shumë i ngushtë, se fëmijët nuk mund të flinin dhe se ishin të shqetësuar. Ndërkaq në sallën për edukatën fizike në shkollën fillore " Branko Radiçeviç", ku janë vendosur shtretër fushorë përgjatë gjithë sallës, janë akomoduar fshatarët kryesisht të moshuar, të zhvendosur nga fshati Svinjarë, përkatësisht Frashër. Ata pohojnë se kanë nevojë për veshmbathje, si dhe medikamente për qetësim. Dushanka Jovanoviç nga ky fshat thotë:
"Jam e shqetësuar nuk mund të fle dhe nuk mund të ushqehem. Jam e dëshpëruar sepse i kam lënë të gjitha që kam patur. E kam lënë pasurinë dhe bagëtinë që kisha në shtëpi. Po më lëshon fuqia por unë mundohem që të mbetem normale dhe të ruaj mendjen e shëndoshë. Nuk e di se ku do të shkojmë tani. Dhëntë Zoti që askush të mos e përjetojë këtë që përjetuam ne", tha zonja Jovanoviç. Ndërkaq Jovan Jovanoviç, një i moshuar nga fshati Svinjarë përkatësisht Frashër, tha se kishte dëshirë që të jetonte në fshatin e tij deri në fund të jetës, por trazirat e fundit i kishin detyruar që ta lëshonte atë. Në Mitrovicë kishte shkuar me të njëjtat rroba, me të cilat ishte gjetur ndërsa po punonte arrat.
"Ja se si kam ardhur këtu që nga arat. Jam i zhveshur dhe jam keq. Kjo është turp dhe nga Zoti është mëkat. Më qan zemra," thotë zoti Jovanoviç, me sy të përlotur. Ai shtoi se po të ishte e mundur që të kthehej në fshatin e tij, do të jetonte edhe me kusht që jetën ta kalonte nën tendë. Rreth 50 njerëz të cilët ishin të vendosur në shkollën "Branko Radiçeviç", pohonin se ishin të brengosur për fatin dhe ardhmërinë e tyre dhe se tani jetonin në ambjent të ngushtë, siç thoshin ata si në kazermë ushtarake. Por megjithatë ata thanë se mund të bisedonin dhe të ndanin dhimbjen e përbashkët me njëri tjetrin.

XS
SM
MD
LG