Ndërlidhjet

KOSHTUNICA E KËRKOI MBËSHTETJEN E BE-SË PËR "KANTONIZIMIN" E KOSOVËS


Ahto Lobjakas

Gjatë vizitës në Bruksel, kryeministri i Serbisë e Malit të Zi Vojisllav Koshtunica tha se po e kërkon mbështetjen e Bashkimit Evropian për decentralizimin e pushtetit në Kosovë.
Pas takimit me kryetarin e Komisionit Evropian Romano Prodi, Koshtunica tha se "kantonizimi" i Kosovës do të ishta garancë për të drejtat e serbëve dhe pakicave të tjera.
"Aktualisht, ideja nuk është e re dhe nuk është diçka që ka dalë nga Serbia dhe Mali i Zi. Ajo për herë të parë u përmend nga Këshilli i Evropës, si një ndër format e ndryshme të autonomisë dhe decentralizimit që do ta mbështeste demokratizimin e mëtejmë në Kosovë, dhe do ti mbronte të drejtat e serbëve dhe bashkësive joshqiptare. Qëllimi është mbrojtja e të drejtave të njeriut", tha Koshtunica.
Ai tha se decentralizimi i pushtetit është i nevojshëm për parandalimin e dhunës së mëtejme, për të shtuar se trazirat në Kosovë ishin të planifikuara më parë dhe kishin për qëllim spastrimin etnik.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha se beson që dhuna në Kosovë ishte "orkestruar" nga grupet ekstremiste shqiptare.
Koshtunica tha në Bruksel se planet për "kantonizimin" nuk do të ndikonin në statusin final të Kosovës.
Emma Udwin, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, tha se blloku nuk ka qëndrim formal mbi planin, por shtoi se unioni nuk do të mbështeste asgjë që do ta minonte administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
"Nuk do të favorizonim asgjë tjetër përpos zbatimit të drejtë të rezolutës 1244, me të cilën për momentin udhëhiqet Kosova dhe administrata e UNMIK-ut. Është e qartë se në dritën e ngjarjeve të javës së shkuar, do të ketë diskutime për mënyrën e zgjidhjes më të mirë të dallimeve ndërmjet bashkësive etnike në Kosovë, por për momentin nuk kemi ndryshime në politikat tona", tha Udwin.
Bashkimi Evropian e mbështet qasjen e Kombeve të Bashkuara për "standardet para statusit", sipas së cilës, Kosova duhet ti ndërtojë institucionet demokratike mbi sundimin e ligjit dhe të dialogojë me Beogradin, përpara se të vendoset statusi final i Kosovës. Zyrtarët e unionit më parë sugjeruan se rishikimi i statusit mund të bëhet nga mesi i vitit 2005.
Ndonëse Ministrat e Jashtëm të unionit, të hënën e dënuan dhunën në Kosovë, ata thanë se Kosova ende ka "ardhmëri në Evropë".
Prodi e përsëriti këtë mesazh duke thënë se "partneriteti i nivelit evropian" është zgjidhja afatgjate më e qëndrueshme për paqen. Por ai tha se udhëheqësit lokalë së pari duhet të punojnë së bashku.
"U bëj thirrje liderëve shqiptarë dhe serbë që së bashku të gjejnë një zgjidhje politike. Ne ofrojmë zgjidhje afatgjatë politike dhe i kërkova kryeministrit Koshtunica që të punojmë së bashku për ta gjetur atë zgjidhje", tha kryetari i Komisionit Evropian Romano Prodi.

XS
SM
MD
LG