Ndërlidhjet

logo-print

HOLKERI: AUTORËT E AKTEVE TË DHUNËS KANË VEPRUAR ME PLAN TË PËRGATITUR


Bekim Bislimi, Obiliq

Caqet të cilat janë goditur nga dhuna gjatë datës 18 mars në Obiliq, tregojnë se autorët e akteve të dhunës kanë vepruar me plan të përgatitur, ka thënë shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri, gjatë qëndrimit në këtë komunë.
“Kjo tregon se ata kanë pasur plan të përgatitur dhe komuniteti ndërkombëtar është tërësisht i vendosur që të gjejë autorët e këtyre akteve, sepse ata janë munduar që të shkatërrojnë ardhmërinë e Kosovës” tha zoti Hollkeri. Ai ka kërkuar nga Kuvendi Komunal i këtij qyteti që të bëjë atë që është e mundur në ripajtimin e komuniteteve dhe riparimin e të gjitha objekteve që janë shkaktuar. Ai tha se jo vetëm në Obiliq, por edhe në mbarë Kosovën, donatorët ndërkombëtarë nuk mund të ndihmojnë, ndërkohë që, sipas tij, mundësitë e Qeverisë së Kosovës janë relativisht të kufizuara. Zoti Holkeri ka vizituar edhe kishën orthodokse në këtë qytet, e cila është dëmtuar gjatë trazirave të javës së shkuar.
Kryetari i komunës së Obiliqit, Ismet Hashani tha se e kishte njoftuar zotin Holkeri me dëmet e shkaktuara në këtë komunë gjatë trazirave të datës 18 mars.
“Informova për numrin e shtëpive, që i kemi të evidentuara deri më tani si të rrënuara. Informova për hapat që kemi marrë. Qytetarëve të zhvendosur ju kemi ofruar medikamente, kemi ndarë një fond për ushqim dhe po përpiqemi që të krijojmë kushte sa më shpejt që është e mundur që ata të kthehen nëpër apartamentet e tyre dhe do të përpiqemi si asamble që të krijojmë kushte, kuptohet, me ndihmën edhe të fondeve qeveritare që të krijojmë kushte sa më shpejt për kthim për këta qytetarë, sepse këta janë qytetarë të Kosovës”.
Ndërkaq, zoti Holkeri theksoi se të zhvendosurve ju nevojitet ndihma.
“Njerëzit e zhvendosur kanë nevojë për ndihmë. Të gjitha orvatjet duhet të orientohen drejt asaj që këta njerëz të kthehen në shtëpi dhe shtëpitë të rindërtohen”, tha zoti Holkeri duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë ç’është e mundur që dhuna, e cila ka ndodhur të mos përsëritet më. Ai tha se duhet vazhduar me programe të reja të cilat e çojnë Kosovën drejt një ardhmërie më të mirë dhe u premtoi serbëve lokalë se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë t’u ofrojë ndihmë me qëllim që të krijohet ardhmëri stabile, jetë normale dhe e qetë.
Ndërkaq Mirçe Jakovljeviç nga Qendra Koordinuese Serbe, tha se për aktet e dhunës që kanë ndodhur, përvet autorëve të akteve të dhunës, përgjegjësinë për ato e mbart edhe zoti Holkeri.
“Pas tërë kësaj është çmenduri të flitet për ndonjë koncept të multietnicitetit në Kosovë. Pas kësaj, është hipokrizi e zotit Holkeri që të na ofrojë ndihmën e Qeverisë Qendrore," tha zoti Jakovljeviç. Ndryshe, shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri ka vizituar edhe Graçanicën, ku aktualisht janë strehuar disa banorë serbë të Kastriotit dhe Prishtinës.


XS
SM
MD
LG